
Buxheti 2017, me shume para per rruget, prioritet projektet ekzistuese
Në Buxhetin e Shtetit, që u është paraqitur dje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, është paraqitur edhe një platformë e detajuar për punimet në infrastrukturën rrugore të vendit.
Ajo që të bën përshtypje është fakti që, për herë të parë, jepet me hollësi viti i fillimit të realizimit të projektit për secilin segment dhe parashikimi për vitin kur do të përfundojë.Dhe, nga ana tjetër, del qartë se pak janë ato projekte që parashikohet të përfundojnë më 2017, ndërkohë që vihet re një zvarritje skandaloze e punimeve në vite, që kontribuon pa dyshim në shkatërrimin edhe të punës së bërë më parë.
Kështu është për shembull situata për segmentin që niset nga Kardhiqi i Gjirokastrës për të përfunduar në Delvinë. Ky segment e shkurton së tepërmi udhëtimin drejt Sarandës dhe sonave të tjera turistike në rivierën e Jugut.Ai filloi në vitin 2007 nga qeveria "Berisha" por u ndërpre papritmas prej saj dhe më pas askush nuk e zuri më me dorë. Sipas ekspertëve të infrastrukturës, ndërprerja e punimeve ka bërë që edhe traseja e punuar tashmë duhet të bëhet në shumë raste nga e para. Qeveria ‘Rama” merr përsipër ta përfundojë këtë segment, por vetëm mandatin e dytë, në vitin 2018.
Vitin e ardhshëm planifikohet të përfundojnë 11 lotet e segmentit nga Plepat e Durrësit në Rrogozhinë, që kanë filluar të realizohen në vitin 2009; rrugët lidhëse me bredetin e Jonit, nisur më 2009; rruga Butrint-Kanali i Çukës, nisur po më 2009; rruga Berta-Çorovodë, nisur më 2011; një shtesë punimesh në Rrugën e Arbërit, nga dalja e Urës së Vashën drejt Bulqizës; vazhdimi i rrugës dytësore nga Tirana në Vorë, krahu i majtë.
Po kështu, shtetit shqiptar do t’i duhen pesë vjet për të përfunduar punimet e rrëshqitjes në Dukat të Vlorës, rrugës për në Llogara, po pesë vjet për të përfunduar rrugën turistike malore drejt Gjinarit në Elbasan; nëntë vjet për një lot në rrugën e Porto Romanos në Durrës; etj.Ndër veprat me financim të huaj, parashikohet që të vijojnë punimet për segmentin Qukes-Qafë Plloçë (lotet 1-3), që ka nisur më 2015 dhe duhet të vazhdojë deri më 2018. Po kështu, rruga e Elbasanit nuk përfundon deri më 2018, pra nuk do të jetë gati si një “segment elektoral” vitin e ardhshëm, duke kërkuar 7 vjet për t’u realizuar. By Pass-i i Fierit nuk do të mbarojë para vitit 2019, ndërkohë që punimet për atë të Vlorës do të zgjatin gjithashtu deri më 2019. Kurse By Pass- i Vorës, që ka filluar më 2008 do të mbyllet vitin e ardhshëm.
Më skandaloz duket fakti që rruga në bregun e liqenit të Ohrit parashikohet të përfundojë më 2019-ën, pasi ka filluar gjashtë vjet më parë.Rruga nga Korça në Ersekë do të shtyhet deri në vitin 2019, ndonëse ka filluar më 2011-ën, ndërkohë që ajo nga dogana e Tre Urave drejt Leskovikut, nisur më 2009, do të kërkojë 9 vjet që të përfundojë, me prerje shiriti më 2018-ën.Kurse Unaza e Madhe e kryeqytetit nuk ka një afat të përcaktuar mirë. Në Projektbuxhet, projekti i nisur më 2010 datën e përfundimit e ka “2019+”! Pra, nuk mjaftojnë ndoshta as 10 vite.
Më të lexuarat








