Secondary Adv

BERZH, 30 mln euro për modernizimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë

BERZH, BE dhe BEI rrisin mbështetjen për hekurudhën shqiptare me një investim të rëndësishëm për rindërtimin dhe elektrifikimin e linjës Durrës–Rrogozhinë.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bashkimi Evropian (BE) dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI) njoftuan se po forcojnë mbështetjen e tyre për infrastrukturën hekurudhore të Shqipërisë, përmes një investimi të rëndësishëm për rindërtimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë.

 

BERZH-i do të akordojë një hua sovrane deri në 30 milionë euro në favor të Shqipërisë, për llogari të ndërmarrjes shtetërore Hekurudha Shqiptare. Ky financim vjen në përputhje me një hua të barabartë prej 30 milionë eurosh nga BEI, si dhe me një paketë prej 60 milionë eurosh nga BE-ja në formën e granteve investuese dhe asistencës teknike përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, e nënshkruar më herët gjatë këtij viti.

 

Ky projekt strategjik parashikon rehabilitimin dhe elektrifikimin e rreth 34 kilometrave hekurudhë midis qytetit portual të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipërinë e mesme, përfshirë edhe rindërtimin e stacioneve hekurudhore përgjatë këtij segmenti. Projekti përfaqëson një hap kyç në përpjekjet e vendit për të modernizuar rrjetin hekurudhor, për të forcuar lidhjet rajonale dhe për t’u përafruar me standardet evropiane të transportit dhe mjedisit.

 

Donald Mishaxhiu, Drejtues Rajonal për Infrastrukturën në BERZH për Ballkanin Perëndimor, Rumaninë dhe Bullgarinë, deklaroi:

 

“Ky investim pasqyron mbështetjen tonë të vazhdueshme për transformimin hekurudhor të Shqipërisë. Së bashku me partnerët tanë, po kontribuojmë në ndërtimin e një rrjeti transporti modern, të qëndrueshëm dhe të ndërlidhur, që do t’i shërbejë brezave të ardhshëm.”

 

Ministri i Financave, Petrit Malaj, u shpreh:

 

“Ky projekt shënon një moment transformues në zhvillimin e infrastrukturës së Shqipërisë. Ai jo vetëm që do të forcojë ndërlidhjen kombëtare dhe rajonale, por do të ketë gjithashtu një rol jetik në zhvillimin afatgjatë të vendit dhe integrimin e tij në rrjetin më të gjerë evropian të transportit. Jemi mirënjohës ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në realizimin e kësaj vizioni.”

 

Linja hekurudhore Durrës–Rrogozhinë bën pjesë në Korridorin VIII Pan-Evropian, një rrjet prej 1,500 kilometrash rrugë, hekurudhe dhe tragetesh që lidh Italinë e Jugut me portet në Detin e Zi të Bullgarisë. Ky projekt do të mundësojë lidhjen e parë hekurudhore të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, duke përmirësuar ndjeshëm lëvizshmërinë ndërkufitare dhe integrimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor. /Monitor(https://monitor.al/berzh-30-mln-euro-per-modernizimin-e-hekurudhes-durres-rrogozhine/)


Më të lexuarat