Secondary Adv

Qeveria miraton rregulla të reja për mbikëqyrjen dhe standardet e ndërtimit

Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren e zbatimit të punimeve të ndërtimit dhe rregullat e kantierit.

Vendimi përfshin detaje për vendosjen e kamerave të sigurisë në kantiere, detyrimet e drejtuesve teknikë, përdorimin e materialeve ndërtimore, menaxhimin e punimeve me defekte, si dhe mbajtjen dhe ruajtjen e dosjes teknike të objektit.

 

Kamerat e sigurisë, të detyrueshme në çdo kantier

 

Sipas vendimit, çdo kantier ndërtimi duhet të pajiset me të paktën katër kamera sigurie, të vendosura në mënyrë që të mbulojnë të gjithë territorin. Zbatuesi i punimeve është i detyruar t’u sigurojë akses në kohë reale Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), për të monitoruar zbatimin e projekteve dhe lejeve përkatëse.

 

Një kantier ndërtimi konsiderohet i ngritur kur janë vendosur rrethimi i kantierit, sinjalistika kamerat e sigurisë, tabela informuese për objektin dhe subjektin ndërtues, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Tabela duhet të vendoset në një vend të dukshëm, në lartësi jo më pak se 4 metra nga niveli i rrugës (kur e lejon pozicioni urban).

 

Kush mund të zbatojë punime ndërtimi

 

Vendimi përcakton se vetëm subjektet juridike të licencuara mund të ushtrojnë veprimtari ndërtimi, brenda kufijve të përcaktuar në licencën përkatëse. Investitorët që ndërtojnë për llogari të vet duhet gjithashtu të jenë të licencuar. Kriteret dhe klasifikimet për zbatimin e punimeve përcaktohen nga një rregullore e posaçme, e miratuar nga ministri përkatës për zhvillimin e territorit.

 

Drejtuesi teknik, figura kyçe në zbatim

 

Vendimi përcakton se drejtuesi teknik i punimeve nuk lejohet të angazhohet në punë të tjera publike ose private jashtë subjektit. Për objekte me vlerë mbi 30 milionë lekë, përgjegjësi teknik duhet të jetë rezident në kantier me kohë të plotë dhe të ketë diplomë në inxhinieri ndërtimi.Ai merr në dorëzim gjithë dokumentacionin përkatës për ndërtimin, përfshirë licencat, projektin e zbatimit, kontratat, specifikimet teknike dhe planin organizativ të kantierit.

 

Materialet dhe produktet që përdoren në ndërtim duhet të jenë të reja, të papërdorura dhe të shoqëruara me certifikatë cilësie. Produktet që nuk përputhen me standardet nuk lejohen të përdoren në objekt. Nëse materiali prodhohet në kantier, kërkohet leje nga organi i autorizuar.

 

Po kështu, punimet që ndikojnë në sigurinë dhe shëndetin e njerëzve apo në mjedis kontrollohen gjatë fazave të ndërtimit dhe pranohen vetëm kur janë në përputhje me projektin. Defektet e evidentuara nga mbikëqyrësi nuk pranohen dhe nuk financohen deri në korrigjim. Në rast se ato nuk ndikojnë në sigurinë dhe pranohen nga investitori, mund të financohen me çmim të reduktuar.

 

Vendimi përcakton gjithashtu  se gjatë procesit të ndërtimit, krijohet dhe përditësohet dosja teknike e objektit, ku dokumentohen të gjitha fazat dhe veprimet kryesore, përfshirë projektet, preventivat, certifikatat e materialeve, provat teknike, librat e kantierit dhe deklaratat teknike. Pas përfundimit të punimeve, kjo dosje i dorëzohet zbatuesit dhe ruhet sipas afateve të përcaktuara në legjislacion. /ekofin.al(https://ekofin.al/kamera-sigurie-ne-cdo-kantier-qeveria-miraton-rregulla-te-reja-per-mbikeqyrjen-dhe-standardet-e-ndertimit/)


Më të lexuarat