Secondary Adv

Dhoma Amerikane kërkon zbatimin e një vizioni strategjik për turizmin

Dhoma Amerikane, përmes Komitetit të Turizmit, kërkon një strategji afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit, sipas një deklarate zyrtare.

Dhoma Amerikane nëpërmjet Komitetit të Turizmit dhe Mikpritjes ka ndjekur me interes zhvillimet në sektorin e turizmit dhe hartimin e Strategjisë afatgjatë, si një dokument strategjik i domosdoshëm për zhvillimin e sektorit, sipas një deklarate zyrtare.

 

Ka qenë një kërkesë e hershme e AmCham zhvillimi dhe zbatimi i një vizioni strategjik, që i jep përparësi qëndrueshmërisë afatgjatë duke ndërmarrë masat e nevojshme me zhvillimin e një kuadri të ri rregullator dhe përcaktimin e qartë të metodave të menaxhimit të destinacioneve.

 

“AmCham këmbëngul në mendimin e vet se vetëm përmes kësaj qasje që kërkon ndryshime themelore, mund të zhvillojmë një sektor të qëndrueshëm që respekton trashëgiminë natyrore e kulturore, duke promovuar praktika që mbështesin mjedisin dhe komunitetet.

 

Kjo do të mundësojë që Shqipëria të bëhet një destinacion i rëndësishëm turistik në Evropë ku çmimet dhe cilësia ofrojnë pushime për të gjithë.

 

Vizioni për turizmin 2030, i hartuar edhe me pjesëmarrjen e grupeve të interesit të industrisë, përbën themelin mbi bazën e të cilit do të ndërtohen dhe harmonizohen të gjitha nismat strategjike.

 

Dhoma Amerikane do të ndjekë me mjaft interes zbatimin e kësaj strategjie në vijim edhe të rekomandimeve të hartuara nga Komiteti i Turizmit dhe Mikpritjes që prekin fushat e Akomodimit, Udhëtimit &Transportit, Agroturizmit, si dhe Konsulencën &Trajnimet”, përfundon njoftimi.

 

Më herët, Dhoma Amerikanë shprehu shqetësimin për situatën e krijuar për turizmin në vend, veçanërisht për mungesën e ujit të pijshëm, keqmenaxhimin e ujërave të zeza si dhe problematikën e fuqisë punëtorë në vend.

 

Të gjitha këto po dëmtojnë aktivitetin e turizmit dhe cilësinë e shërbimeve, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese.

 

Informacionet e përcjella nga anëtarët e Dhomës, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete.

 

Dhoma kërkoi vëmendjen e Qeverisë, pushtetit lokal dhe institucioneve përkatëse për t’i adresuar këto problematika, duke ndihmuar kështu jo vetëm bizneset, por edhe fuqizimin e këtij momentumi pozitiv për imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje. /Monitor(https://monitor.al/dhoma-amerikane-kerkon-zbatcvimin-e-nje-vizioni-strategjik-per-turizmin/)


Më të lexuarat