Secondary Adv

Përveç burimeve njerëzore, Shqipëria ka çmime më të larta se Europa për inputet e investimeve

Pavarësisht kostos së ulët të fuqisë punëtore, inputet për investime në Shqipëri janë më të shtrenjta se mesatarja e BE, sipas Eurostat.

Kostot e investimeve në Shqipëri në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian janë ende të lira për shkak të pagave të ulëta të burimeve njerëzore, por inputet që përdoren për investime janë shumë më shtrenjtë se në BE sipas të dhënave të Eurostat.

 

Sipas tabelës krahasuese të Eurostat mbi çmimet e investimeve në kategori të ndryshme (ku mesatarja e BE-së është vendosur në 100), Shqipëria ka një indeks prej vetëm 67.8 për investimet në përgjithësi, një nga më të ulëtit në EUropë, pas Maqedonisë së Veriut (66.5) dhe në linjë me Kosovën dhe Bosnjën kryesisht nga vlera e ulët e fuqisë punëtore.

 

Megjithatë, kur bëhet fjalë për kategori si produktet metalike dhe makineritë elektrike e optike, Shqipëria shfaqet me çmime dukshëm më të larta se Europa dhe Rajoni.

 

Çmimet e “produkteve metalike dhe makinerive janë sa 108.7 e mesatares europiane me 2014, më i larti në Ballkan dhe ndër më të lartët në EUropë, duke kaluar edhe vende si Belgjika (100.9) dhe Holanda (100).

 

Gjithashtu grupi “ Pajisje elektrike dhe optike” ka çmime 111.3 më të larta se mesatarja e BE dhe gjithashtu më e larta në Rajonin e Ballkanit dhe më i lartë edhe se Gjermania (96.4) apo Franca (97.9).

 

Me një indeks prej 112%, Shqipëria rezulton i shtrenjtë në krahasim me Europën për mjete transporti. Ky tregues përbën një pengesë serioze për sektorët e logjistikës dhe transportit, apo për çdo industri që kërkon automjete të specializuara.

 

Vetëm softueri kushton pak më lirë me një indeks sa 86.6% e mesatares së BE sipas Eurostat, por më i lartë se shumica e vendeve të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut (81.3), Serbia (79.5) apo Bosnja (82.2).

 

Këto disbalanca tregojnë se, ndonëse Shqipëria mbetet tërheqëse për investimet që lidhen me ndërtimin dhe infrastrukturën për shkak të kostove të ulëta, ajo përballet me barriera të konsiderueshme për investime në teknologji dhe industri prodhuese me vlerë të shtuar.

 

Çmimet më të larta për pajisje teknologjike të dekurajojnë investitorët që kërkojnë të zhvillojnë sektorë të avancuar si prodhimi elektronik, transporti inteligjent apo teknologjia e informacionit. /Monitor(https://monitor.al/pervec-burimeve-njerezore-shqiperia-ka-cmime-me-te-larta-se-europa-per-inputet-e-investimeve/)


Më të lexuarat