Secondary Adv

TIA vazhdon të thyejë rekorde, gushti nis me mbi 51 mijë pasagjerë në një ditë

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) po përjeton një nga periudhat më dinamike në historinë e tij, duke u konfirmuar si një nga nyjet më të rëndësishme të transportit ajror në rajon.

Vetëm në ditët e para të gushtit, aeroporti ka regjistruar një tjetër rekord mbresëlënës: 51,000 pasagjerë të shërbyer në një ditë, duke kaluar për herë të parë pragun e  50 mijë udhëtarëve ditorë.

 

Sipas të dhënave operacionale që ka siguruar Ekofin.al, ky fluks i jashtëzakonshëm vjen pas një tjetër muaji historik: korriku i vitit 2025, kur përmes TIA-s kanë fluturuar afro 1.3 milion pasagjerë, me një rritje prej rreth 120 mijë udhëtarësh më shumë se korriku i vitit të kaluar.

 

Ecuria pozitive nuk është rastësore, por pjesë e një trendi të qëndrueshëm në rritje. Gjatë periudhës janar–korrik 2025, aeroporti ka shënuar një rritje vjetore të qendrueshme prej +7% në numrin total të pasagjerëve, duke arritur në mbi 6.4 milionë pasagjerë në janar-korrik 2025, kundrejt 5,969,937 që fluturuan në janar – korrik 2024.

 

Këto të dhëna reflektojnë jo vetëm rritjen e kërkesës për udhëtime drejt dhe nga Shqipëria, por edhe rolin gjithnjë e më të madh që po merr vendi si një destinacion turistik në Mesdhe. Investimet në infrastrukturë, shtimi i linjave të reja ajrore, përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë sukses.

 

TIA po punon gjithashtu për të përballuar rritjen e trafikut, me përmirësime të vazhdueshme në kapacitetet operacionale dhe shërbimet ndaj pasagjerëve, në një sezon turistik që pritet të sjellë shifra edhe më të larta në muajt e ardhshëm.

 

Me këto ritme, viti 2025 mund të përmbyllet si viti më i suksesshëm deri më tani në historinë e aeroportit, duke e vendosur Tiranën në hartën e rëndësishme të qarkullimit ajror në Evropën Juglindore. /ekofin.al(https://ekofin.al/tia-vazhdon-te-thyeje-rekorde-gushti-nis-me-mbi-51-mije-pasagjere-ne-nje-dite/)


Më të lexuarat