Aksi Qafë Thanë-Dogana Qafë Thanë, Balluku: Punimet dhe riparimet kanë përfunduar
Kanë përfunduar punimet në segmentin Qafë Thanë–DoganaQafë Thanë, një aks kyç që lidh Shqipërinë me vendet fqinje, njoftoi ministrja Belinda Balluku.
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi se punimet për riparimin e shtresave asfaltike dhe përmirësimin e sinjalistikës horizontale dhe vertikale në segmentin rrugor Qafë Thanë-Dogana Qafë Thanë, me gjatësi 3 km, një nga akset më të rëndësishme që lidh Shqipërinë me vendet fqinje kanë përfunduar.
Sipas ministres këto ndërhyrje kanë për qëllim kryesor lehtësimin e qarkullimit të automjeteve dhe rritjen e sigurisë rrugore në këtë zonë të frekuentuar nga qarkullimi i automjeteve, përfshirë ato të transportit ndërkombëtar.
Punimet përfshinë riparimin e shtresave asfaltike të dëmtuara, vendosjen e sinjalistikës horizontale, si dhe përmirësimin e sinjalistikës vertikale për një orientim më të mirë dhe përforcim të masave të sigurisë në rrugë.
Ky investim vjen në një kohë kur fluksi i automjeteve në këtë segment është në rritje, duke pasur parasysh rëndësinë e tij strategjike në lidhjen e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë. /Scantv