
FAO: Çmimet botërore të ushqimeve në nivelin më të lartë në 2 vitet e fundit
Çmimet botërore të ushqimeve shënuan rritje në korrik, duke arritur nivelin më të lartë në mbi dy vite, sipas të dhënave të FAO.
Çmimet botërore të mallrave ushqimore u rritën në korrik në nivelin më të lartë në mbi dy vite, pasi një kërcim i çmimeve të vajrave bimore dhe nivelet rekord të mishit tejkaluan rënien e çmimeve të drithërave, bulmetit dhe sheqerit, tha Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO).
Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve i FAO-s, që shërben si tregues global për çmimet e mallrave ushqimore, mesatarisht arriti në 130.1 pikë në korrik, një rritje 1.6% nga qershori, sipas FAO-s. Ky ishte niveli më i lartë që nga shkurti 2023, megjithëse indeksi ishte 18.8% më poshtë se kulmi i arritur në mars 2022, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Indeksi i çmimeve të mishit i FAO-s arriti një rekord të ri 127.3 pikë, me një rritje 1.2% nga kulmi i mëparshëm në qershor, pasi kërkesa e fortë e importit nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara rriti çmimet e mishit të viçit dhe mishit të deles, tha agjencia. Importet amerikane të mishit të viçit janë rritur pasi thatësira shkaktoi një rënie të numrit të gjedhit në vend. Kina importoi sasi rekord të mishit të viçit vitin e kaluar mes rritjes së popullaritetit të këtij lloji mishi, megjithëse një hetim zyrtar mbi mishin e viçit të importuar ka rritur pasigurinë mbi kërkesën kineze.
Në tregjet e tjera të mishit, çmimet e shpendëve u rritën lehtë pas rifillimit të importeve të pulës braziliane nga blerësit kryesorë, pasi Brazili rifitoi statusin zyrtar si “vend pa gripin e shpendëve” pas masave të marra ndaj shpërthimit të parë. Në kontrast, çmimet e mishit të derrit ranë për shkak të furnizimeve të mjaftueshme dhe kërkesës më të ulët, veçanërisht në Bashkimin Europian, shtoi FAO.
Indeksi i vajrave bimore i FAO-s u rrit në 166.8 pikë, 7.1% më shumë se muaji i kaluar dhe në nivelin më të lartë në tre vitet e fundit. Kjo rritje u nxit nga çmimet më të larta për vajin e palmës, sojës dhe lulediellit, për shkak të kërkesës së fortë globale dhe furnizimeve në tkurrje, megjithëse çmimet e vajit të rapës ranë me ardhjen e prodhimit të ri në Europë.
Treguesi i çmimeve të drithërave i FAO-s zbriti në nivelin më të ulët në gati pesë vjet, duke reflektuar presionin sezonal të furnizimeve nga korrjet e grurit në Hemisferën Veriore. Indeksi i veçantë për orizin ra me 1.8% muajin e kaluar, i nxitur nga furnizimet e bollshme për eksport dhe kërkesa e dobët e importit.
Çmimet e bulmetit ranë lehtë për herë të parë që nga prilli 2024, me rëniet e çmimeve për gjalpin dhe qumështin pluhur, që kompensuan rritjet e mëtejshme për djathin.
Indeksi i çmimeve të sheqerit i FAO-s ra për të pestin muaj radhazi, për shkak të pritshmërive për rritje të prodhimit në Brazil dhe Indi, pavarësisht shenjave të rikuperimit të kërkesës globale për import të sheqerit. /Monitor(https://monitor.al/fao-cmimet-boterore-te-ushqimeve-ne-nivelin-me-te-larte-ne-2-vitet-e-fundit/)
Më të lexuarat








