Bashkia e Tiranës miraton ndryshime në taksat dhe tarifat vendore, lehtësime për disa kategori
Bashkia Tiranë ka miratuar një sërë ndryshimesh në vendimin për taksat dhe tarifat vendore.
Këshilli Bashkiak Tiranë ka miratuar në mbledhjen e mbajtur në fund të korrikut një sërë ndryshimesh në vendimin për taksat dhe tarifat vendore, duke sjellë lehtësira për kategori të veçanta të bizneseve dhe shoqatave, si dhe duke përcaktuar rregulla të reja për njoftimin e taksapaguesve.
Sipas ndryshimeve, çdo njoftim për detyrimet, taksat dhe tarifat vendore do të bëhet përmes shërbimit postar, në rrugë elektronike sipas ligjit për komunikimet elektronike, ose përmes portalit e-Albania.
Ndër risitë, për ndërtimet me destinacion publik dhe me pronësi shtetërore, taksa e ndikimit në infrastrukturë do të jetë 2% e vlerës së investimit.
Gjithashtu, janë parashikuar lehtësira për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore dhe tarifën e pastrimit, ku bizneset e krijuara nga gra kryefamiljare me tre ose më shumë fëmijë do të përfitojnë 50% ulje, pas dorëzimit të dokumentacionit përkatës; shoqatat e themeluara nga pensionistë ose persona me aftësi të kufizuara do të përjashtohen plotësisht nga këto dy detyrime.
Në fushën e tarifës së pastrimit, afati i pagesës për bizneset është deri më 31 maj, ndërsa për detyrimet që lindin pas kësaj date, pagesa duhet kryer brenda 15 ditësh. Për subjektet e reja, detyrimi llogaritet nga muaji i regjistrimit.
Ndryshime janë bërë edhe për llogaritjen e tarifës së pastrimit për kantieret e ndërtimit dhe rikonstruksionet që nuk vihen menjëherë në shfrytëzim ose nuk kanë aplikuar për certifikatë përdorimi, duke filluar nga data e lejes deri në përfundimin e punimeve.
Më konkretisht vendimi parashikon: “ Njësi ndërtimi për çdo kantier ndërtimi, etj të ngjashëm me to, rikonstruksione të pjesshme të ngjashme me to, për të cilat miratohet leje ndërtimi por nuk vihet në zbatim/shfrytëzim nga zhvilluesi/ndërtuesi deri në përfundim të afatit të lejes, si dhe për rastet të cilat leja e miratuar vihet në zbatim por nuk janë ndjekur procedurat për aplikimin për certifikatë përdorimi, llogaritja e tarifës se pastrimit të fillojë me zbardhjen e lejes së ndërtimit deri në përfundimin e afatit të punimeve, shoqëruar me procesverbalin nga sektori i verifikimit në terren”.