Secondary Adv

Buxheti 2017, Veliaj: Kete vit nuk do te kete rritje te taksave

Qytetarët e 24 njësive administrative të Bashkisë së Tiranës nuk do të kenë asnjë rritje takse për vitin 2017. Kjo gjë është deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2017 me banorët e Njësisë Nr.5.

 

Kryebashkiaku ka deklaruar ndër të tjera se ajo që do rritet këtë vit është vetëm vlera e investimeve, pasi projektbuxheti është 30% më i madh se buxheti i 2016-ës. Po ashtu, Veliaj ka thënë se borxhi prej 53 miliardë lekësh që gjetën, tashmë është mundur të shlyhet në masën 60%.


Projektbuxheti
Bashkia e Tiranës ditën e djeshme ka nisur nga Njësia Administrative Nr.5 prezantimin dhe konsultimin e projektbuxhetit për vitin 2017, proces që do të vijojë në ditët në vijim në të 23-ta njësitë administrative të Tiranës. Në fjalën e tij para banorëve të kësaj njësie, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke prezantuar projektbuxhetin, ka theksuar se ai vjen gati tri herë më i madh se buxheti i vitit 2014, ndërsa ka siguruar se paketa fiskale që e shoqëron atë nuk do të sjellë asnjë rritje taksash për banorët e Tiranës.


“Bashkia sot nuk është perfekte, por është të paktën dy herë e gjysmë më e mirë kur vjen puna te të ardhurat dhe te buxheti, e unë besoj se, nga tani e tutje nuk krahasohemi më me atë që lamë, por tani duhet të krahasohemi me buxhetin e suksesshëm të vitit 2016 për të ecur përpara. Ky buxhet është tri herë më i madh se buxheti i vitit 2014 dhe është 30% më i lartë se buxheti që kishim vjet, pra, e thënë troç, do të shtojmë me 1/3 masën e investimeve në të gjithë Tiranën, dhe nëse ky vit ishte vit i mirë, imagjinoni sa i mirë do jetë viti tjetër në terma të investimeve dhe punës konkrete që do të kemi në territor”, – tha Veliaj. Pavarësisht këtij fakti, ai ka theksuar se për vitin 2017 do të rriten më tej investimet që do të mbështeten nga buxheti i bashkisë, duke garantuar se ato do të prekin të gjitha njësitë administrative.


“Gjëja e dytë dhe lajmi i dytë më i mirë është se do ta bëjmë këtë pa i rritur fare taksat. Fasha e taksave do të jetë zero, asnjë rritje”, – bëri të ditur Veliaj. Nga ana tjetër, ai theksoi se për vitin që po mbyllet buxheti i Bashkisë së Tiranës ishte 2.5 herë më i lartë se buxheti i vitit 2014, kur bashkinë e drejtonin të djathtët, ndërsa investimet pësuan një rritje me gati dy herë. Ai theksoi se vetëm nga donacionet u siguruan gati 5 milionë dollarë investime, ndërsa u mundësua shlyerja e pjesës më të madhe të borxheve të akumuluara dhe të trashëguara nga qeverisja e mëparshme e bashkisë.


“Ne gjetëm një ‘shtëpi’ me borxhe 53 miliardë lekë, pra gjetëm më shumë borxhe në bashki sesa vetë buxheti i bashkisë. Më vjen mirë që 60% e borxhit të bashkisë është i larë, dhe jo vetëm kaq, por kemi bërë disa ndryshime që ne si të majtë i kemi besuar gjithmonë”, – tha Veliaj. Ai theksoi se, falë mbledhjes më të mirë të taksave dhe tarifave, por edhe administrimit më të mirë të parave publike, është bërë e mundur që Bashkia e Tiranës të ndërmarrë një sërë nismash që nxisin si arsimimin, ashtu edhe zhvillimin e biznesit dhe punësimit në qytet.


Më të lexuarat