Rihapet gara për Milot-Balldre, kosto rreth 365 mln euro, afat 30 muaj për punimet
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka rihapur procedurën koncesionare për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldre, pas anulimit të garës së mëparshme pak javë më parë.
Projekti synon gjetjen e një kompanie private që do të ndërtojë dhe administrojë këtë segment strategjik, me kohëzgjatje ndërtimi të parashikuar prej 30 muajsh nga nënshkrimi i kontratës.
Kjo nuk është hera e parë që tentohet kontraktimi i këtij investimi. Procedura e fundit, e hapur në dhjetor 2024, u anulua pasi asnjë ofertë nuk u vlerësua e përshtatshme. Me hapjen e garës së re, qeveria synon përzgjedhjen e një operatori që do të marrë përsipër projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës.
Vlera dhe afati i kontratës
Sipas dokumenteve të tenderit, vlera totale e projektit arrin në 365 milionë euro (pa TVSH), ndërsa kontrata koncesionare do të ketë një afat 35-vjeçar. Në kosto përfshihen:
- Projektimi i rrugës
- Ndërtimi dhe transformimi në autostradë të kategorisë A
- Operimi dhe mirëmbajtja gjatë gjithë periudhës koncesionare
Segmenti Milot–Balldre është i gjatë rreth 17 kilometra dhe fillon në nyjen e Milotit, duke u lidhur me rrugët Milot–Thumanë – Kashar – Lekaj dhe Rrugën e Kombit, për të përfunduar në Balldre, tek rruga ekzistuese Tiranë–Shkodër. Aktualisht, rruga është e kategorisë C, por projekti parashikon transformimin e saj në autostradë moderne të kategorisë A.
Ky aks është pjesë e Korridorit Adriatiko–Jonian, i identifikuar si segment i Korridorit TEN-T Mesdhetar, që lidh rrjetin kryesor të transportit të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Projekti konsiderohet një nyje kyçe për lidhjet rajonale dhe zhvillimin ekonomik. /Scan