
Qeveria miraton buxhetin, ja si ndryshojne taksat
Qeveria ka miratuar së fundmi në një mbledhje të posaçme projektbuxhetin për vitin 2017, ndërsa nga dje ai është publikuar edhe në faqen zyrtare të Parlamentit.
Bashkë me buxhetin, Ministria e Financave ka dorëzuar në qeveri dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm, ku parashikohen një sërë ndryshimesh në disa taksa. Në një vështrim krahasues, nëse buxheti i vitit 2016 ishte i shtrënguar në shpenzime, ky i vitit të ardhshëm parashikon rritje të pagave, pensioneve, investimeve, shtimit të punonjësve dhe rritje të kufizuara të taksave në disa sektorë. Të parët që do ndiejnë efektet në muajin janar, do të jenë qytetarët që përdorin gazin në mjetet e tyre dhe ata që përdorin makina luksi, ndërsa në mars do të aplikohet edhe rritja e pagës nga 7-10 për qind dhe e pensioneve me 3 për qind.
Taksat
Sa i përket paketës fiskale, që në fillim të vitit 2017, qytetarët do të përballen me rritje taksash për automjetet dhe lëndën djegëse që ata përdorin për drejtimin e tyre. Bëhet fjalë për zgjerimin e gamës së drejtuesve të makinave të luksit si dhe rritjen e akcizës së gazit të lëngshëm që përdoret për automjetet. Nga ana tjetër, paketa fiskale parashikon zgjerimin e përfituesve të rimbursimit të ilaçeve, heqjen e disa taksave doganore për industrinë e fasonit dhe ndryshime në llogaritjen e bazës së taksueshme për industrinë nxjerrëse.
Lehtësirat
Përfitimi më i madh i qytetarëve nga paketa fiskale 2017 pritet të jetë në rimbursimin e ilaçeve. Sipas asaj që parashikohet në këtë paketë, vitin e ardhshëm skema e përfitimit të barnave të rimbursueshme do të zgjerohet edhe te të pasiguruarit. Bëhet fjalë për një shtim në listën e përfituesve me afro 600 mijë shqiptarë. Paketa fiskale parashikon gjithashtu përgjysmim të rentës minerare, zerim të taksës doganore për disa produkte fasone si dhe ulje të akcizës për duhanin e grirë.
Renta
Një nga masat e reja fiskale të vitit 2017 është reduktimi i Rentës Minerare për mineralin e destinuar për përpunim. Të ardhurat si rezultat i ndryshimit të përqindjes së taksës së rentës nga 4% (2/3 e 6%) në 3% për mineralin krom, të destinuar për përpunim brenda vendit, pritet të jenë 0.1 miliardë lekë. Por, nga ana tjetër, do të aplikohen vlera referuese për bazën e taksimit të rentës, bazuar në çmimet e tregut ndërkombëtar dhe shitjet brenda vendit dhe për eksport. Efekti pozitiv i kësaj mase në të ardhura është llogaritur 500 milionë lekë, bazuar në nivelin e vetëdeklaruar nga kompanitë eksportuese të naftës bruto gjatë viteve 2013-2015.
Akciza për gazin
Qeveria ka planifikuar që në janar të vitit të ardhshëm të aplikojë akcizë për gazin e lëngshëm në nivelin 3 lekë për litër. Ministria e Financave ka arsyetuar se kjo masë ka qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt. Duke llogaritur që importi vjetor i gazit të lëngshëm është rreth 100 mijë tonë në vit, efekti në të ardhurat buxhetore do të jetë 540 milionë lekë nga akciza dhe 107 milionë lekë nga TVSH. Në total, 647 milionë lekë.Për të mos ndikuar në rritjen e shpenzimeve nga përdoruesit familjarë të industrisë dhe për të shmangur abuzimet që mund të ndodhin, është propozuar një nivel minimal taksimi 3 lekë për litër.
Akciza për duhanin
Akciza për purot dhe cigarillot e importuara do të dyfishohet vitin e ardhshëm, ndërsa për duhanin prodhim vendi, do të ulet me 43%. Për purot dhe cigarillo nga 2250/2500 lekë për kilogram që është aktualisht shkon në 4400 lekë. Bazuar në të dhënat e vitit 2016, sasia e pritshme e importit të kësaj kategorie produktesh duhani, pritet të jetë 2 tonë. Për vitin 2017, nëse nuk do të ketë efekte negative në deklarim për shkak të rritjes së akcizës, efekti në të ardhura do të jetë 38 milionë lekë.
Akciza për peshkimin
Qeveria ka vendosur të kufizojë përjashtimin e sektorit të peshkimit nga rimbursimi i akcizës së karburantit. Nën presion edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që ka vlerësuar skemën si shkaktare të evazionit fiskal, qeveria do të heqë dorë nga skema aktuale. Skema përjashtuese që aplikohet aktualisht ka krijuar humbje në praktikë përtej nivelit real të konsumit për qëllim peshkimi. Për 9-mujorin 2016, janë përfituar përjashtime nga Akciza për 7000 tonë karburant me efekt negativ në të ardhura 214 milionë lekë. Nga disiplinimi i skemës, nëpërmjet heqjes dorë nga përjashtimi, vlerësohet se e ardhura shtesë nga kjo masë në buxhetin e vitit 2017 do të jetë 100 milionë lekë.
Transporti, ja rrugët që do ndërtohen në vend
Në vitin elektoral 2017, qeveria është kujdesur veçanërisht në zërin e in vestimeve duke vënë në - plan mbylljen përfundimtare të 29 kontratave dhe ndërtimin dhe sistemimin e 26 rrugëve, nga të cilat në krye për fondet që do të vjelin qëndrojnë akset nacionale, Fushë Krujë-Milot-Morinë dhe DurrësKavajë-Rrogozhinë. Në relacionin shpjegues, argumentohet se synimi i investimeve ndër të tjera mbetet edhe ulja e numrit të aksidenteve. “Buxheti i vitit 2017 synon përmirësimin e cilësisë infrastrukturore në të gjitha nivelet transportit, atë rrugor, hekurudhor, detar, ajror, si dhe në përmirësimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve. Duke kontribuar kështu, në rritjen e sigurisë në transport dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve”, thuhet në relacionin e Projektbuxhetit. Sa i përket investimeve në transportin ajror, më i rëndësishmi është ai për vënien në punë të aeroportit të Kukësit, për të cilin do të jepen 420 milionë lekë. Ndërkohë për rrugën e trenave, me financim të huaj janë planifikuar për t’u financuar; Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës - Terminali i pasagjerëve Tiranë dhe Ndërtimi i një linje të re hekurudhore Tiranë – Rinas, me vlerë totale 9.5 miliard lekë. Projekti përfundon në vitin 2019.
Përfundojnë brenda 2017
- Ndërtim rruga Kukës-Morinë Loti1 (V.Arti të mëdha) dublimi
-Vendosja e mbikalimeve për këmbësore në aksin Plepa-Kavajë-Rrogozhinë
- Ndërtim rruga Unaza e Re e Tiranës (segmenti Komuna e Parisit – rruga e re Tiranë- Elbasan), Shtesë punimesh
- Ndërtim rruga Unaza e Re e Tiranës (segmenti Komuna e Parisit – rruga e re Tiranë- Elbasan), Shtesë punimesh nr.2
- Ndërtim rruga Unaza e Re e Tiranës ( segmenti Komuna e Parisit – rruga e Kavajës )
- Ndërtim i rrugës së Arberit (Dalja e urës së Vashës Bulqizë) Loti 2 Shtesë punimesh
- Sistemim asfaltim rruga Buzuq - Çorovodë
– Masa inxhinierike në segmentin rrugor Buzuq-Çorovodë - Riveshje Sistemim asfaltim rruga Elbasan-Banjë Loti 1
- Riveshje Sistemim asfaltim rruga Elbasan-Banjë Loti 2 SHTESE PUNIMESH
- Riveshje Sistemim asfaltim rruga Elbasan-Banjë Loti 3 (shtese punimesh)
- Ndërtim rrugët paralele superstrada Tiranë-Vorë krahu i Majtë (vazhdimi) shtesë kontrate
- Ndërtim rruga Mbingritja e Viroit dhe hyrje e qytetit Gjirokastër (vazhdimi)
- Ndërtim rruga Mbingritja e Viroit dhe hyrje e qytetit Gjirokastër (vazhdimi), Shtese punime
- Ndërtim rruga e Porto Romanos, Durrës Loti 1
- Ndërtim Unaza Kavajë (Vazhdimi) o Rikonstruksion i rrugës Shkodër(mbikalimi i trenit)- Mes
Si ndahen 81 617 punonjës në administratë
Numri i përgjithshëm i punonjësve të administratës qendrore në organikë vitin e ardhshëm do të jetë 81 617 veta. Kjo shënon një rritje prej 647 të punësuarish krahasuar me vitin në vazhdim, duke qenë se numri i nëpunësve të shtetit sivjet është 80.970 vetë. Kjo shifër parashikohet në projektbuxhetin e shtetit të vitit të ardhshëm, që ka mbërritur në Kuvend, ku kanë filluar menjëherë edhe diskutimet në Komisionin e Ekonomisë. Sipas Buxhetit, numri maksimal i punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror, i dhënë në tabelën që riprodhohet më poshtë në këtë faqe, detajohet nga ministritë dhe institucionet qendrore, në përputhje me strukturat e miratuara për çdo institucion varësie.
Këshilli i Ministrave, nga ana e vet, ka të drejtën të rishpërndajë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve të përmendura në tabelë në rastin e ristrukturimit të institucioneve ekzistuese apo krijimit të institucioneve të reja. Në tabelë përfshihet edhe një numër punonjësish rezervë, i cili do të përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për krijimin e institucioneve të reja. Këshilli i Ministrave përcakton gjithashtu numrin maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme për çdo ministri dhe institucion qendror.
Më të lexuarat








