Rama: Ndërtimet e paligjshme do të shemben ose sekuestrohen për interes publik
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ndërtuesit se çdo ndërtim i paligjshëm ose do të shembet, ose do të sekuestrohet nga shteti.
Në një komunikim në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili shprehet dyshues nëse do të prishen 8 kate pa leje në një objekt shumëkatësh të ndërtuar afër sheshit “Skënderbej” në Tiranë.
Rama siguroi se çdo metër katror tek ajo ndërtesa që u konstatua asokohe e paligjshme, nuk është më e ndërtuesit.
“Janë bërë të gjitha procedurat dhe, sikundër edhe në disa raste të tjera, ato metra katrorë do t’i marrë shteti. Do t’i marrë shteti për interes publik, pra për zyra, për aktivitete të natyra të ndryshme publike. Pra, do të jenë të një institucioni të caktuar të qeverisë, bashkisë, etj. Kjo nuk është vendosur, por ama janë ndërkohë kaluar me letra dhe në momentin kur do të kryhet ndërtimi, do të jenë të shtetit”, shtoi Rama.
Ashtu sikundër, Kryeministri theksoi se “të gjitha ato të cilat u publikuan si raste me shtesa kanë kaluar në procese të ndryshme”.
“Një pjesë janë parablerë nga ndërtuesit me çmimin e tregut. Një pjesë tjetër janë sekuestruar dhe konfiskuar, dhe kështu do të vazhdojmë në vijim. Kush do të ndërtojë një metër katror të paligjshëm, duhet ta dijë që nuk do ta gëzojë dot, ose do ta marrë shteti aty ku është e mundur të merret ose do të bjerë në tokë e gjithë godina. Kjo do të jetë e qartë dhe e prerë për të gjithë”, siguroi Kryeministri. /ekofin.al