
Hyjnë në fuqi 9 masat e reja për investime deri në 50 për qind të vlerës në bujqësi
Skema kombëtare në bujqësi shton 9 masa të reja për të mbështetur fermerët në investime nga serrat te agroturizmi dhe akuakultura.
Skemës kombëtare në bujqësi i janë shtuar edhe 9 masa të reja në ndihmë të fermerëve për investime në ndërtimin e serrave, mbjelljet frutore, për mekanizimin e fermave, agroturizmin dhe mbështetje në akuakulturë.
Mbështetja me grante përfshin deri në 50% të vlerës, me kufizime sipas sipërfaqes dhe shumave përkatëse që variojnë nga 250 mijë lekë deri në 15 mln lekë, në varësi të sektorit që do të kryhet aplikimi.
Udhëzimi i mëparshëm parashikonte 8 masa në mbështetje të fermerëve, teksa me masat e reja shtresë së miratuar së fundmi numri i tyre arrin në 17 masa për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
Në udhëzimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 14, datë 28.3.2025, “për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural” të botuar në Fletoren Zyrtare do të mbështesë sektorët bujqësorë dhe blegtoralë për investime në serrat diellore, mbjellje të reja pemësh, rrjeta kundër breshëri, sisteme ujitjeje, mbarështim kafshësh, mekanizim fermash, agroturizëm dhe akuakulturë detare.
Udhëzimi gjithashtu përcakton se përfituesit e masave të reja nuk duhet të jetë debitor ndaj Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR). Nuk duhet jetë debitor ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sipas legjislacionit në fuqi, ku duhet të kenë shlyer “sigurimet shoqërore” në rastin e fermerëve individualë.
Aplikuesit gjithashtu duhet të ketë tokën në pronësi dhe/ose me qira/huapërdorje për të paktën 5 vjet, duke filluar nga viti i aplikimit. Të ketë lejen përkatëse të ndërtimit sipas legjislacionit në fuqi, para lidhjes së kontratës.
Aplikimet për masat mbështetëse (nr. 9–17) bëhen me dosje fizike në zyrat qendrore të AZHBR-së nga data 30.7.2025 deri më 30.9.2025. Aplikantët duhet të paraqiten me letërnjoftim elektronik ose pasaportë biometrike për identifikim. Nëse fondi nuk ezaurohet, mund të shpallen thirrje të tjera, me data të miratuara nga ministri i Bujqësisë.
Masat e reja
9 Për ndërtimin e serrave diellore të reja për perime, luleshtrydhe dhe rrush tavoline, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes, me sipërfaqe minimale 0.2 ha dhe sipërfaqe maksimale 2 ha. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se: – 15 00 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve; – 8 000 000 (tetë milionë) lekë/ha për serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë; – 4 000 000 (katër milionë) lekë/ha për serrat (tunelet plastike) të prodhimit të luleshtrydheve.
10 Për investime në mbjelljet e reja të pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe vreshtave, financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 800 000 (tetëqind mijë) lekë/ha. Përfitojnë pagesë shtesë fermerët që instalojnë sistemet e ujitjes me pika. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha.
11 Rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 5 (pesë) ha.
12 Për sistemet e ujitjes me pika në pemëtore, ullishte, agrume dhe vreshta ekzistues. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 10 ha.
13 Për ndërtimin e ambienteve të reja për për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, përfshirë pajisjet/sistemet e nevojshme, me kapacitet jo më pak se 10 (dhjetë) lopë, jo më pak se 100 (njëqind) të imëta, jo më pak se 10 (dhjetë) dosa dhe jo më pak se 10 000 (dhjetë mijë) shpendë. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 000 000 lekë (pesëmbëdhjetë milionë) për subjekt.
14 Mbështetje për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 000 000 (pesë milionë) lekë për subjekt.
15 Mbështetje për linja/makineri/pajisje për përpunimin, seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e perimeve, frutave, rrushit dhe verës, ullirit dhe vajit të ullirit në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 7 500 000 (shtatë milionë e pesëqind mijë) lekë për subjekt.
16 Mbështetje për investime në agroturizëm me një masë përfitimi në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë 15,000,000 lekë (pesëmbëdhjetë milionë) për subjekt.
17 Mbështetje për akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshkut (vetëm për koshat dhe rrjetat). Masa e përfitimit të jetë në 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15,000,000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë për subjekt. /Monitor(https://monitor.al/hyjne-ne-fuqi-9-masat-e-reja-per-investime-deri-ne-50-te-vleres-ne-bujqesi/)
Më të lexuarat








