Situatë kritike në Delvinë nga zjarri, ndërpritet energjia elektrike, pritet ndërhyrja nga ajri
Situata mbetet kritike në Delvinë.
Pritet ndërhyrje nga ajri për të shuar flakët që vijojnë. Ka ndërprerje të energjisë elektrike. Mbrëmë u evakuua spitali dhe banorë të zonës. Edhe në Gramsh situata u paraqit kritike. Një 80-vjeçar vdiq nga asfiksia, disa banorë shkuan në spital dhe 9 fshatra e evakuuan.
Zjarri ka vazhduar me intensitet të lartë edhe gjatë orëve të natës. Flakët vijojnë në kodrat përreth qytetit, ndërsa ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri. Energjia elektrike është ndërprerë.
Zjarri mori përmasa të mëdha gjatë orëve të mbrëmjes. Flakët, e nisura fillimisht në Finiq, kaluan në territorin e Delvinës. Banorët u evakuuan, ndërsa zhvendosje u bë edhe për pacientët dhe stafin mjekësor të spitalit.
Prej godinës së spitalit u zhvendosën edhe bombolat e oksigjenit, pasi rrezikoheshin nga zjarri. Transferimi i pacientëve, mjekëve dhe pajisjeve u bë përkohësisht në Pallatit të Kulturës.
Zjarri rrezikoi edhe puset e naftës. Banorët rrëfyen tmerrin për Report Tv, duke theksuar se flakët u përhapën shumë shpejt. Banorët flasin edhe për disa shtëpi të djegura, ndërsa autoritetet theksojnë se nuk ka më rrezik për banesat.
Më herët, gjatë mesditës së djeshme, situata u paraqit kritike edhe në disa fshatra të Gramshit. Në Kullollas, u shënua dhe viktima e parë në Gramsh, një 80 vjeçar, i cili humbi jetën nga asfiksia. Ishte zjarri që ai ndezi në oborrin e shtëpisë së tij, që u përhap me shpejtësi duke përfshirë dhe fshatra të tjerë të zonës. 9 fshatra u evakuuan.
Tymi ka pushtuar zonën për shkak të flakëve masive ndërsa ka edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Gazetari Armand Xhelili raporton se pritet të ndërhyhet nga ajri. /Shqiptarja