Secondary Adv

Reforma administrative rrit financimet me 2,5 miliard leke

Reforma e decentralizimit fiskal në vitin 2017 parashikon që njësitë e qeverisjes vendore të kenë më shumë burime financiare në dispozicion, me qëllim rritjen e eficencës dhe qendrueshëmrisë në funksionet dhe kompetencat e tyre.


Në funksion të këtij objektivi transferta e pakushtëzuar do jetë 2.5 miliardë lekë më e lartë se ajo e vitit 2016 dhe do shkojë tërësisht në rritjen e portofolit të investimeve publike dhe shlyerjen  e detyrimeve të prapambetura për njësitë e qeverisjes vendore. Në buxhetin e vitit 2017, shuma e transfertës së pakushtëzuar e shpërndarë me anë të formulës rritet në 15.5 miliardë lekë, nga 13 miliardë lekë që ishte në buxhetin e vitit 2016, pra 2.5 miliardë lekë më  shumë (ose rreth 20% më e lartë) se  në vitin 2016, ndërkohë që shpenzimet në total në buxhetin e shtetit, do të rriten  me rreth 6 për qind.


Gjithashtu vitin e ardhshëm parashikohet të hyjë në fuqi ligji për financat e qeverisjes vendore, i cili pritet të ndikojë në buxhetin e vitit 2017, për njësitë e vetëqeverisjes vendore, në drejtim të:

• Forcimit të rregullave për procesin buxhetor dhe disiplinës fiskale e financiare në menaxhimin e financave vendore, si dhe rolit më të madh mbikëqyrës të Ministrisë së Financave në këtë drejtim;
• Rritjes së aftësisë së parashikueshmërisë së burimeve financiare publike në nivel vendor;
• Sigurimit dhe konsolidimit të një dialogu efektiv ndërmjet dy niveleve të qeverisjes për ndarjen e detyrave dhe burimeve;
• Unifikimit dhe standardizimit të procedurave të buxhetit vendor me qeverisjen qendrore;
• Përcaktimit të rregullave për menaxhimin e situatave të vështirësive financiare;
• Rritjes së parashikueshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së transfertave ndërqeveritare;
• Rregullimit të procedurave për menaxhimin e situatave të bllokimit të miratimit të buxheteve nga këshillat e vetëqeverisjes vendore.


Më të lexuarat