Secondary Adv

Strehimi social, gati udhëzuesi për bashkitë, çfarë duhet të mbajnë parasysh në planet 5-vjeçare

Bashkitë në të gjithë vendin do të duhet të kenë parasysh një sërë elementësh të rëndësishëm gjatë hartimit të planeve të reja 5-vjeçare të lidhura me strehimin social.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit publikoi udhëzuesin që do të shërbejë si orientues për drejtoritë që kanë në ngarkim këtë çështje në bashki. Dokumenti mban parasysh kontekstin aktual të strehimit në vend, si dhe politikat e lidhura me identifikimin e nevojave reale që kanë bashkitë, grupet përfituese, mënyrat e financimit, buxhetimin e drejtë sipas gjetjeve reale nga terreni.

 

Dokumenti, që mund të përdoret nga bashkitë, por edhe nga ekspertët e planifikimit urban apo edhe palë të tjera të treta, bën një përmbledhje të programeve aktuale për strehimin social. Konkretisht, këto programe përfshijnë: banesa sociale me qira; përmirësimi i kushteve të banesave ekzistuese; banesa me kosto të ulët; zhvillimi i zonës me qëllim strehimi; banesa të përkohshme; banesa të specializuara për grupe të veçanta (të moshuar, PAK, viktima dhune/trafikimi, etj.).

 

Kategoritë që mund të përfitojnë aktualisht janë: strehimi (p.sh. të pastrehë, banesa që paraqesin rrezik, banesa të mbipopulluara); familjare (familje njëprindërore, të moshuar, familje me shumë fëmijë); sociale (PAK, jetimë, viktima dhune/trafikimi, komuniteti rom/egjiptian, LGBTI+ etj.); ekonomike (të ardhura të ulëta sipas përcaktimeve ligjore).

 

Rezultati i pritshëm i respektimit të parimeve që evidenton ky udhëzues është që bashkitë të hartojnë plane realiste, të përshtatura me territorin, për të siguruar akses të drejtë dhe të përballueshëm në strehim, duke u bazuar në diagnozë të saktë të nevojave lokale dhe në bashkëpunim me sektorin privat.

 

Udhëzuesi parashikon disa hapa për hartimin e Programit 5-vjeçar të Strehimit Social, ku i pari është ngritja e grupit të punës & plani i punës, së dyti vendosja e kontekstit.

 

Së treti, analiza e thelluar, e cila ndalet në elementë si: Demografi & ekonomi: trende të popullsisë, profile sociale-ekonomike, grupet vulnerabël; tregu i banesave: çmimet, disponueshmëria, qiratë; nevojat për strehim social/të përballueshëm; dhe në fund oferta & trojet: inventari i stokut të banesave, tokat potenciale për ndërtim. Një tjetër hap janë projektet & monitorimi dhe më pas miratimi & zbatimi. 

 

/Monitor (https://monitor.al/strehimi-social-gati-udhezuesi-per-bashkite-cfare-duhet-te-mbajne-parasysh-ne-planet-5-vjecare/)


Më të lexuarat