Secondary Adv

Rrjet i ri elektrik në zonat malore, OSSH hap tenderët me fond limit 770 mln lekë

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes parashikon të investojë në linjë të re tensioni 35 kV, si dhe në një nënstacion të ri në veri të vendit.

Procedurat e prokurimit, me vlerë totale 7.7 milionë euro, u çelën këtë të premte.

 

Konkretisht, kontrata e parë parashikon: “Ndërtim i linjës së re 35 kV N.St. Vukpalaj – Tamarë dhe Nënstacion i ri 35/10 kV në Tamarë”, kurse e dyta: “Ndërtim i linjës 35 kV N.St. Koplik 220 kV – N.St. Vukpalaj me dy qarqe”.

 

Kontrata e parë, sipas relacionit teknik, ka si qëllim ndërtimin e një linje të re elektrike 35 kV në dalje të Nënstacionit Vukpalaj/Hani i Hotit deri në zonën e Tamarës, në Malësinë e Madhe, si dhe ndërtimin e një Nënstacioni të ri elektrik 35/10 kV në Tamarë me fuqi 7.5 MVA.

 

“Linja do të jetë e re me një qark 35 kV, me shtylla me konstruksione metalike të reja, model 110 kV (izolacion 110 kV në perspektivë), me një gjatësi totale rreth 19–20 km, sipas projekt-idesë së mëposhtme, e mbrojtur me përcjellës trosi OPGW gjatë gjithë gjatësisë së saj, dhe Nënstacioni i ri 35/10 kV, 1 x 7.5 MVA në Tamarë që do të jetë i kompletuar me pajisje klasike të reja”, thuhet në dokument.

 

Të dhënat kryesore të projektit:

a) Linjë e re 35 kV nga degëzimi i linjës Nënstacioni Vukpalaj – Hani i Hotit deri në Nënstacionin e ri Tamarë, me një qark, me gjatësi rreth 20 km.

b) Nënstacion i ri 35/10 kV, 1 x 7.5 MVA në Tamarë.

 

Kontrata e dytë ka si qëllim ndërtimin e një linje të re elektrike 35 kV me dy qarqe nga Nënstacioni 220 kV Koplik në Vukpalaj dhe degëzimi drejt Hanit të Hotit.

 

“Linja do të jetë e re me dy qarqe 35 kV, me shtylla me konstruksione metalike të reja, model 110 kV (izolacion 110 kV në perspektivë), me një gjatësi totale rreth 15 km, sipas projekt-idesë së mëposhtme, e mbrojtur me përcjellës trosi OPGW gjatë gjithë gjatësisë së saj.

 

Të dhënat kryesore të projektit:

1.   Linjë e re 35 kV me dy qarqe nga Nënstacioni 220 kV Koplik deri në degëzimin e linjës Nënstacioni Vukpalaj – Hani i Hotit. Linja do të jetë me shtylla 110 kV (perspektivë izolacioni për kalim në nivel tensioni 110 kV) dhe përçjellës ACSR 120/20 mm² për të dy qarqet”, thuhet në dokument.

 

/Monitor (https://monitor.al/investimet-per-linje-te-re-35-kv-ossh-7-7-mln-euro-per-dy-tendera/)


Më të lexuarat