
Profesionistët e lirë letër Malajt: Përjashtoni banesën e parë nga taksa
Aleanca e Profesionistëve të Lirë ka dorëzuar propozimet e saj në kuadër të procesit të konsultimit publik për reformimin e tatimit mbi pasuritë e paluajtshme.
Ashtu siç ndodhi në Tiranë në vitin 2023, rritja e çmimeve të referencës së apartamenteve në rrethe të propozuara së fundmi nëpërmjet ndryshimeve në projektvendimin e Ministrisë e Financave, pritet të rrisë detyrimin për taksën e ndërtesës si për qytetarët dhe bizneset.
Pas publikimit për konsultim publik të projektvendimit të metodologjisë së llogaritjes së taksës së ndërtesës ku propozohet rritje e çmimeve të referencës në rrethe, Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) i është drejtuar me një letër ministrit të Financave Petrit Malaj ku rekomandojnë që banesa e parë e qytetarëve të përjashtohet nga taksa e ndërtesës.
Sipas tyre, një ndryshim i tillë ndikon drejtpërdrejt në shtresat e mesme dhe në familjet që zotërojnë vetëm një pronë për banim. “Propozimi ynë është që banesa kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi ndërtesat ose të tatohet me një normë simbolike”, theksohet në letër.
APL propozon që tatimi për ndërtesën të jetë i diferencuar sipas destinacionit dhe qëllimit ekonomik të pasurisë, duke shmangur barazimin e padrejtë midis një prone të dytë të trashëguar dhe një portofoli investimesh të qëllimshëm në pasuri të paluajtshme. Kjo qasje siguron drejtësi fiskale, shmang penalizimin e familjeve dhe parandalon spekulimet e tepruara në treg.
“Diferencimi i pasurive sipas destinacionit dhe origjinës. Një sistem tatimor i drejtë duhet të bëjë dallim mes: Pasurive të destinuara për përdorim vetjak; Pasurive të destinuara për aktivitet ekonomik (qira, zhvillim, shitje); Pasurive të trashëguara për motive familjare dhe të përdorura në mënyrë sporadike (p.sh. shtëpi pushimi)”, propozon APL.
Profesionistët gjithashtu rekomandojmë që baza tatimore të përcaktohet mbi vlerën e tregut të pasurisë, të vlerësuar nga tregu i lirë dhe burime të besueshme të të dhënave. “Referencat tatimore duhet të përdoren vetëm si mjet alternativ në këto raste”.
Nga Ministria e Financave është hedhur për konsultim publik edhe projektligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Në draft për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme Ministria e Financave ka propozuar normë tatimi 5% nga 15% që është aktualisht.
Profesionistët e lirë propozojnë që rivlerësimi i pronave për familjarët të zbatohet me tatim nën 3%, pasi sipas tyre bazuar në analizën e praktikave të kaluara, një normë tatimore jo më e lartë se 3% mbi ndërtesat dhe tokën e zëna është optimale për: rritjen e të ardhurave buxhetore përmes zgjerimit të bazës tatimore; uljen e nivelit të informalitetit në tregun e pasurive të paluajtshme dhe Nxitjen e transaksioneve dhe formalizimit të pronësisë.
Të dyja draftet e propozuara nga Ministria e Financave pas miratimit parashikohet të nisin zbatimin nga 1 janari 2026.
Letra e plotë
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
MINISTRIA E FINANCAVE, KRYEMINISTRIA, MEDIA
Drejtuar: Ministrit të Financave
Për Dijeni: Zyra e Kryeministrit, Media
Nga: Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL)
Lënda: Propozime dhe rekomandime për reformimin e tatimit mbi pasuritë e paluajtshme
Të nderuar,
Në kuadër të procesit të konsultimit publik mbi reformimin e tatimit mbi pasuritë e paluajtshme, dhe duke u bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian dhe vendeve të OECD-së, paraqesim për shqyrtim propozimet e mëposhtme. Qëllimi ynë është që politika tatimore në këtë fushë të balancojë interesin fiskal të shtetit me mbrojtjen e shtresave të mesme e të ulëta dhe të stimulojë një zhvillim të qëndrueshëm të tregut të pasurive të paluajtshme.
1. Mbrojtja e banesës kryesore dhe lehtësimi fiskal për strehimin bazë
Në shumicën e vendeve të BE-së, banesa kryesore e tatimpaguesit përjashtohet plotësisht ose i nënshtrohet një reduktimi të konsiderueshëm të tatimit mbi ndërtesat (deri në 80%). Ky model garanton mbrojtjen e strehimit bazë si e drejtë themelore sociale.
Propozimi ynë është që:
- Banesa kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi ndërtesat ose të tatohet me një normë simbolike.
- Fitimi nga shitja e banesës kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi fitimin kapital, duke ndjekur modelin e OECD dhe shumicës së vendeve anëtare të BE-së.
- Për pasuritë e tjera, tatimi mbi fitimin kapital të aplikohet në mënyrë progresive, por i korrigjuar për efektet e inflacionit dhe kostove të justifikuara financiare (p.sh. interesat hipotekore, shpenzimet e rikonstruksionit), për të siguruar që tatohet vetëm fitimi real dhe jo vlera e fryrë artificialisht nga tregu ose faktorë makroekonomikë.
2. Diferencimi i pasurive sipas destinacionit dhe origjinës
Një sistem tatimor i drejtë duhet të bëjë dallim mes:
- Pasurive të destinuara për përdorim vetjak.
- Pasurive të destinuara për aktivitet ekonomik (qira, zhvillim, shitje).
- Pasurive të trashëguara për motive familjare dhe të përdorura në mënyrë sporadike (p.sh. shtëpi pushimi).
Propozojmë që tatimi të jetë i diferencuar sipas destinacionit dhe qëllimit ekonomik të pasurisë, duke shmangur barazimin e padrejtë midis një prone të dytë të trashëguar dhe një portofoli investimesh të qëllimshëm në pasuri të paluajtshme. Kjo qasje siguron drejtësi fiskale, shmang penalizimin e familjeve dhe parandalon spekulimet e tepruara në treg.
3. Përcaktimi i bazës tatimore mbi vlerën reale të tregut
Rekomandojmë që baza tatimore të përcaktohet mbi vlerën e tregut të pasurisë, të vlerësuar nga tregu i lirë dhe burime të besueshme të të dhënave. Referencat tatimore duhet të përdoren vetëm si mjet alternativ në këto raste:
- Kur nuk ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme të tregut.
- Kur çmimi i deklaruar është qartësisht fiktiv.
Kjo shmang diskriminimin tatimor dhe situatat ku pasuri me cilësi e vendndodhje të ndryshme tatohen në mënyrë identike.
Stimuj fiskalë për riinvestimin e të ardhurave
Për të nxitur qarkullimin e kapitalit dhe zhvillimin e sektorit të ndërtimit, propozojmë:
- Rimbursim të plotë të tatimit mbi fitimin kapital kur të ardhurat nga shitja e pasurisë riinvestohen brenda 12 muajve nga transaksioni.
- Ky mekanizëm, i zbatuar në Hungari, Itali, Gjermani dhe SHBA, ka gjeneruar rritje të ndjeshme të transaksioneve dhe punësimit në sektorin e ndërtimit.
5. Norma tatimore optimale dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit
Bazuar në analizën e praktikave të kaluara, një normë tatimore jo më e lartë se 3% mbi ndërtesat dhe tokën e zëna është optimale për:
- Rritjen e të ardhurave buxhetore përmes zgjerimit të bazës tatimore.
- Uljen e nivelit të informalitetit në tregun e pasurive të paluajtshme.
- Nxitjen e transaksioneve dhe formalizimit të pronësisë.
Paralelisht, kërkohet forcimi i mekanizmave të kontrollit mbi burimin e të ardhurave të përdorura në blerjen e pasurive të paluajtshme, për të parandaluar pastrimin e parave dhe për të mbrojtur integritetin e tregut.
Përfundim
Këto rekomandime synojnë të ndërtojnë një sistem tatimor mbi pasuritë e paluajtshme që është socialisht i drejtë, ekonomikisht nxitës dhe administrativisht i zbatueshëm e transparent. Besojmë se procesi i reformës duhet të zhvillohet me transparencë të plotë, me kohë të mjaftueshme për konsultim dhe me përfshirjen aktive të të gjithë aktorëve kryesorë: profesionistëve të fushës, qytetarëve, biznesit dhe administratës publike.
Në pritje të një procesi konsultimi konstruktiv, shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në mënyrë aktive dhe për të qenë pjesë e dialogut publik. Mbetemi në dispozicion për çdo sqarim teknik dhe diskutim të mëtejshëm, me synimin e përbashkët për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë.
Me respekt,
Adela Kanani
Drejtor Ekzekutiv
/Monitor (https://monitor.al/profesionistet-e-lire-leter-malajt-perjashtoni-banesen-e-pare-nga-taksa/)
Më të lexuarat








