Dëmet nga zjarret, Kryeministri Rama: Do kompensohen, hapat që do ndiqen
Ashtu si paralajmëroi dhe ditë më parë, kryeministri Edi Rama ndau të premten në rrjetin social Facebook detaje lidhur me procedurat që do të ndiqen për kompensimin e dëmeve që erdhën si pasojë e zjarreve që përfshinë vendin.
“Vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret do të realizohet në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të veçantë, e cila nis me evidentimin e tyre nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve.
Ky grup realizon inventarizimin e dëmeve në banesa, infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike, objekte social-kulturore dhe plotëson formularët me kostot financiare.
Më pas, bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës, dhe pas vlerësimit financiar çdo bashki përcakton koston e kompensimit, i cili kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile.
Kujt i humbi shtëpia do t’ia rindërtojmë falas dhe kujt i humbën krerët do t’ia rifinancojmë një më një,” tha Rama në një status. Hap pas hapi këto janë procedurat që do të zënë vend.
Evidentimi i subjekteve dhe dëmeve:
- Me urdhër të Kryetarit të Bashkisë ngrihet Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve.
- Inventarizimi bëhet për banesa, infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike dhe objekte social-kulturore.
- Ngrihet Grupi i Vlerësimit për dëmet e konstatuara.
- Përbërja e grupit bëhet sipas natyrës së fatkeqësisë, karakterit të humbjeve dhe vlerësimit teknik.
Procedurat e vlerësimit të dëmeve:
- Grupet e vlerësimit bëjnë inspektimin e objekteve dhe plotësojnë formularët me kostot financiare.
- Bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës.
- Në rast humbjeje jete, kërkohet vërtetimi mjeko-ligjor për humbjen e jetës.
- Vlerësimi bëhet për banesa, objekte sociale, biznese dhe struktura bujqësore.
- Për kulturat bujqësore, mjetet mekanike dhe gjënë e gjallë – vlerësimi bëhet mbi çmimet e tregut.
- Për orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake – mbi çmimet aktuale mesatare.
- Për makineri dhe mallra biznesi – sipas dokumentacionit pranë organeve tatimore.
- Pas vlerësimit financiar, çdo bashki përcakton koston e kompensimit.
- Kompensimi kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile.
- Në mungesë fondesh, kompensimi planifikohet për vitin pasardhës.
- Nëse kompensimi tejkalon 8% të buxhetit të bashkisë, kërkesa dërgohet te Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.