Leku fiton terren ndaj monedhave të huaja, investimet dhe turizmi ndikojnë në stabilitet
Euro dhe dollari kanë shënuar rekorde historike ndaj lekut, teksa monedha vendase vazhdon të forcohet.
Aktualisht dollari këmbehet me 82.6 lekë, ndërsa euro me 96.76 lekë.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë konstaton se lëvizjet janë shumë më të lehta krahasuar me dy vitet e fundit, kur monedhat e huaja u zhvlerësuan menjëherë.
Në terma vjetorë, forcimi i lekut është ngushtuar më tej në tremujorin e dytë, duke zbritur në 2.3% nga 4.7% që ishte në tremujorin e parë të vitit. Institucioni qëndror financiar shprehet se situata ka nisur më vonë dhe ka qenë më e përmbajtur.
Deri në tre javët e para të muajit korrik, forca e lekut kundrejt dhjetorit të vitit të kaluar ishte vetëm 0.6%, krahasuar me 10.2% që shënonte në të njëjtën periudhë të viteve 2024 dhe 2023. Paralelisht me këtë, vëllimet e tregtimit kanë vijuar të rriten edhe në tremujorin e dytë.
Banka shton gjithashtu se edhe rritja e investimeve të huaja ka ndjekur të njëjtin trend rritës si në tremujorin e parë.
Ekspertët theksojnë se ndikimin më të madh në mbiçmimin e lekut e ka sezoni turistik, kur ka një fluks gjithnjë e më të lartë të pushuesve të huaj. Ndërkohë, rënia e çmimeve në tregjet e huaja ka ndikuar që të ruhet stabiliteti i vlerës së mallrave të importit në Shqipëri. /Ora News