Secondary Adv

Turizmi, të huajt në hotele u rritën me 37.4 për qind, në krye Kosova dhe Italia

Në qershor, hotelet regjistruan rritje të vizitorëve të huaj, kryesisht nga Kosova, Italia dhe Polonia.

Hotelet raportuan rritje të vizitorë ve dhe netqëndrimeve të të huajve në muajin qershor ku në krye të grupeve vijuan të mbeten Kosova dhe Italia me respektivisht 19 për qind dhe 13 për qind. Nisja e turizmit të organizuar që në maj duket se bëri që edhe polakët të ishin grupi i tretë sipas shteteve të cilët regjistronin 10 për qind të vizitorëve të raportuar.

 

Të dhënat tregojnë një tendencë të raportuar edhe nga turoperatorët ku për herë të parë edhe francezët janë bërë një grup i rëndësishëm me 6 për qind teksa gjermanët qëndrojnë para tyre me 8 për qind të vizitorëve.

 

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave mbi strukturat akomoduese për muajin qershor tregojnë se vizitorët gjithsej u rritën me 37,2 %, ku ata jo-rezidentë shënuan një rritje prej 37,4 % dhe rezidentë 36,7 %. Net qëndrimet gjithsej u rritën me 38,2 %, ku ato jo-rezidentë u rritën me 38,3 %, ndërsa ato nga rezidentët me 38,0 %.

 

“Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u shënua në zonat bregdetare (+42,4 %) dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+35,0 %). Vizitorët e huaj sipas vendit të rezidencës Në Qershor 2025, shumica e vizitorëve jo-rezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Kosova (19 %), Italia (13 %), Polonia (10 %). Gjermania dhe Franca kontribuuan përkatësisht me 8 % dhe 6 % të vizitorëve, ndërsa 44 % e tyre ishin nga vende të tjera.

 

Këto të dhëna reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 39,5 %, krahasuar me 35,9 % në Qershor 2024” thuhet në njoftimin e INSTAT.

 

Të dhënat zyrtare të turizmit këtë vit kanë qenë të luhatura. Turoperatorët kanë raportuar se viti 2025 në total ndoshta do të shënojë një shifër më të mirë se viti që lamë pas por vera 2025 është shfaqur më e zbehtë të paktën për disa rajone.

 

Rezervimet individuale kanë qenë më të ulëta gjatë korrikut teksa piku i sezonit mendohet se është regjistruar vetëm në gusht. Gjithsesi situatën reale pritet që ta tregojnë të dhënat vetëm pas mbylljes së sezonit. /Monitor(https://monitor.al/turizmi-te-huajt-ne-hotele-u-rriten-me-37-4-ne-krye-kosova-dhe-italia/)


Më të lexuarat