Ne 2017 do te rritet buxheti i te gjitha bashkive, por jo njesoj
Në Projektbuxhetin e Shtetit për vitin e ardhshëm parashikohet që të thellohet më tej Reforma Administrativo - Territoriale. Në funksion të këtij objektivi, qeveria ka parashikuar që transferta e pakushtëzuar për bashkitë të jetë 2.5 miliardë lekë më e lartë se ajo e vitit 2016 dhe do shkojë tërësisht në rritjen e portofolit të investimeve publike dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për njësitë e qeverisjes vendore.
Në buxhetin e vitit 2017, shuma e transfertës së pakushtëzuar e shpërndarë bashkive rritet në 15.5 miliardë lekë, nga 13 miliardë lekë që ishte në buxhetin e vitit 2016, pra 2.5 miliardë lekë më shumë, ndërkohë që shpenzimet në total në buxhetin e shtetit për pushtetin vendor rriten me rreth 6 për qind. Rritja e transfertës së pakushtëzuar është kështu në masën 20 për qind krahasuar me një vit më parë.
Bashkitë Bashkia që do të përfitojë rritje më të lartë fondi do të jetë ajo e Vaut të Dejës, së cilës i jepen 39 për qind më shumë para’ se sa këtë vit. Pason në rritje Vora me 38.4% më shumë, që ndiqet nga Rrogozhina me 37.4%, Ura Vajgurore me 34.5% dhe Maliqi e Përrenjasi me më shumë se 32%. Ndër bashkitë e mëdha, rritje më të lartë kanë Vlora, Tirana, Durrësi e Fieri.Në përgjithësi, rritjet e fondeve kanë qenë nga 10 për qind e lart. Por bëjnë këtu përjashtim Peqini, bashkisë së të cilit i akordohen vetëm 1 për qind më shumë fonde nga sivjet, Saranda me më pak se 8 për qind dhe Libohova me më pak se 9 për qind.Ndër qytetet e mëdha, me rritje më të ulët janë Shkodra e Berati.
Punonjësit Në buxhetin e vitit 2017, për funksionin e arsimit, janë transferuar në nivel vendor 7.333 punonjës, nga të cilët një shtesë prej 232 punonjësish të arsimit parashkollor dhe të mesëm, janë transferuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në nivel vendor.Po kështu, për funksionin e ujitjes dhe kullimit, janë transferuar në nivel vendor 267 punonjës, për funksionin e mbrojtjes ndaj zjarrit janë transferuar në nivel vendor 993 punonjës dhe për funksionin e administrimit të pyjeve 261 punonjës.Për vitin 2017, pjesë e buxhetit vendor do të jetë edhe fondi për rritjen e pagave, për të financuar funksionet e reja të transferuara në nivel vendor, me një vlerë rreth 415 milionë lekësh.
Borxhet Ndërkohë, vit pas viti, edhe pushteti vendor është kredhur në detyrime të papaguara. Detyrimet e njësive të qeverisjes vendore janë krijuar si rrjedhojë e keqmenaxhimit të financave publike në nivel vendor, si dhe parashikimit optimist të të ardhurave.Në vitin 2016, janë evidentuar detyrimet e prapambetura të akumuluara nga çdo bashki deri më 31 dhjetor 2015, të cilat në total kishin vlerën rreth 12.2 miliardë lekë, shifër kjo e barabartë me 90 milionë euro. Por bashkitë gjatë viti 2016 kanë shlyer rreth 2.7 miliardë lekë detyrime, më pak se 20 milionë euro.