Secondary Adv

Kredia për individë rritet ndjeshëm, rekord historik në gjysmën e parë të vitit

Rritja e kredisë për individë është përshpejtuar më tej në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore e kredisë për individë nga bankat ka arritur në 17.4%, ose 1.1 pikë përqindje më shumë se në fund të vitit 2024. Rritja ka qenë e luhatshme në tremujorin e parë dhe më e fortë në atë të dytin.

 

Në total, kredia për sektorin privat ka vijuar të rritet me norma të larta në terma vjetorë, prej mesatarisht 16% gjatë gjashtë muajve të parë të 2025, normë kjo e ngjashme me atë të gjashtëmujorit paraardhës.

 

Kredia për biznese vijon të japë kontributin kryesor në zgjerimin vjetor të kredisë për sektorin privat me rreth 9 pikë përqindje, por ky kontribut ka ardhur duke u ngadalësuar krahasuar me gjashtë muaj më parë. Paralelisht, është rritur kontributi i kredisë për individë, në 7 pikë përqindje, duke shënuar një ndër nivelet maksimale historike.

 

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, zgjerimi i kreditimit për individët është mbështetur nga kërkesa e lartë e individëve si për financimin e konsumit ashtu edhe për blerjen e banesave, në kuadër të kushteve financiare të favorshme, rritjes së të ardhurave të disponueshme dhe përmirësimeve në tregun e punës. Në veçanti, oferta e lartë nga bankat është nxitur nga konkurrenca e shtuar mes tyre, si dhe nga përmirësimet e infrastrukturës digjitale dhe asaj teknologjike.

 

Kredia për shtëpi ka vazhduar të rritet me ritme të shpejta. Zgjerimi vjetor i këtij portofoli, prej 18%, ka ardhur duke u forcuar përgjatë tremujorit të dytë, duke shfaqur edhe një efekt paraprijës të shtrëngimit të kushteve makroprudenciale në muajin korrik.

 

Banka e Shqipërisë në fillim të muajit maj lançoi disa masa shtrënguese për kredinë hipotekare, të cilat synojnë që të kufizojnë ekspozimin e sektorit bankar në tregun e pasurive të paluajtshme. Masat kanë hyrë në fuqi në fillim të tremujorit të tretë të vitit, që prej datës 1 korrik.

 

Por, ndërkohë, një rritje të ngjashme po shfaq edhe portofoli i kredisë konsumatorë. Kjo e fundit e ka zgjeruar normat e rritjes me 18%, rreth 3 pikë përqindje më e lartë se e njëjta periudhë një vit më parë.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, normat e larta të kredisë konsumatorë reflektojnë edhe përmirësimet e karakteristikave të këtij produktit nga bankat, siç është zgjatja e maturitetit dhe shtimi i madhësisë së kredisë së akorduar në këtë segment.

 

Zgjerimi i kredisë për individë në gjashtëmujorin e parë ka ardhur kryesisht në monedhën Lek. Kështu, kreditimi në monedhën vendase është rritur me rreth 21%, duke kontribuuar në më shumë se 80% të rritjes së kredisë për individë.

 

Megjithatë, edhe zgjerimi i kredisë në valutë, prej 6.5%, ishte më i lartë se sa stanjacioni që shfaqi në vitin 2024. Ky përmirësim ka reflektuar rritjen e kërkesave për financim në monedhë të huaj, në kushtet e rënies së normave të interesit të kredisë në Euro.

 

Pavarësisht ecurisë pozitive të kredisë në valutë, pesha e kësaj kredie ndaj totalit të individëve është zvogëluar në 24%, ose rreth 2 pikë përqindje më pak se e njëjta periudhë një vit më parë.

 

Normat e interesit për kreditë në Lek të individëve në gjysmën e parë të vitit janë shfaqur të luhatshme, por nuk kanë ndryshuar shumë nga vlerat e fundit të vitit të kaluar. 

 

/Monitor (https://monitor.al/rritja-e-kredise-per-individe-arriti-majat-ne-gjysmen-e-pare-te-vitit/)


Më të lexuarat