
Pronat, nis regjistrimi në 106 zona kadastrale, duhet të përmbyllet brenda 2028
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur regjistrimin fillestar të pronave në 106 zona kadastrale, të shpërndara në gjithë vendin.
ASHK, përmes një postimi në rrjetet sociale bën me dije se faza e parë e punës ka filluar tashmë në Pocest dhe Maqellarë, në qarkun e Dibrës, ndërsa grupet e terrenit janë vendosur në disa bashki, përfshirë Malësinë e Madhe, Shkodrën, Mirditën, Vau të Dejës, Fushë-Arrëzin, Tropojën, Hasin, Bulqizën, Kukësin dhe Krujën.
PROCEDURA
Procesi konsiston në matjen dhe verifikimin e kufijve të pronave, informimin e banorëve mbi procedurat dhe mbledhjen e të dhënave të sakta në koordinim me pronarët dhe pushtetin vendor. Në këtë mënyrë synohet të mbyllen njëherë e mirë boshllëqet dhe problemet që kanë shoqëruar regjistrimin e pronësisë që prej viteve ’90, duke krijuar një bazë të sigurt ligjore dhe digjitale për çdo parcelë.
Në postimin e saj, ASHK bën me dije se ky proces është një nga prioritetet kryesore të institucionit dhe i shërben drejtpërdrejt qytetarëve. “Bashkëpunimi me banorët është çelësi i suksesit. Vetëm nëse ata japin informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm, regjistrimi do të jetë i saktë dhe i besueshëm.
Ky është një shërbim që garanton siguri juridike për pronarët dhe transparencë për tregun e pasurive të paluajtshme”, – citohet në njoftimin zyrtar të Kadastrës.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht Shqipëria ka 3 058 zona kadastrale, nga të cilat rreth 2784 janë regjistruar tashmë. Edhe pse është arritur një progres i konsiderueshëm, ende mbeten 274 zona pa regjistrim fillestar, kryesisht në qarqet veriore dhe zonat me terren të thyer malor, ku procesi ka hasur vështirësi.
Projekti i saponisur për 106 zona kadastrale synon të mbyllë këtë boshllëk dhe të sjellë vendin më pranë objektivit që deri në qershor 2026, 95 për qind e zonave të jenë të regjistruara. Afati përfundimtar që është vendosur nga qeveria për mbylljen totale të regjistrimit fillestar është viti 2028.
Ky proces, i cili po mbështetet edhe financiarisht nga buxheti i shtetit dhe projektet e partnerëve ndërkombëtarë, ka një fond prej mbi 410 milionë lekësh vetëm për këtë fazë. Parashikohet që regjistrimi fillestar të kryhet me metoda moderne teknologjike, duke përfshirë matjet gjeodezike, sistemet dixhitale të të dhënave dhe koordinimin në kohë reale me pushtetin vendor. Por përtej teknologjisë dhe planeve ambicioze, sfidat mbeten të mëdha.
Shumë parcela pronësore në zonat rurale janë fragmentuar për shkak të trashëgimive të shumta, mungesës së dokumentacionit, por edhe migrimit të banorëve, që shpesh e bën të vështirë gjetjen e pronarëve aktualë. Zyrtarë të ASHK-së pranojnë se këto janë problematika reale, por shtojnë se zgjidhja e tyre është e domosdoshme për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme.
“Pa regjistrim fillestar, nuk ka siguri pronësie, nuk ka treg funksional toke dhe nuk ka investime serioze në bujqësi apo turizëm. Ky proces është themeli mbi të cilin ndërtohet zhvillimi ekonomik”, – është shprehur drejtoresha e Kadastrës në një nga deklaratat publike mbi këtë proces.
Ekspertët vlerësojnë se përfundimi i regjistrimit fillestar do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, pasi do të zgjidhë shumë çështje të pronësisë së mbartura prej dekadash, do të lehtësojë transaksionet e shitblerjes, do të sigurojë mbrojtje juridike për investitorët dhe do të ulë ndjeshëm konfliktet mbi pronat.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës u bën thirrje qytetarëve të zonave të përfshira që të bashkëpunojnë me ekipet e terrenit dhe të dorëzojnë çdo informacion apo dokument të disponueshëm. Sipas saj, kjo është mënyra e vetme për të garantuar një proces transparent, të drejtë dhe të përfunduar me sukses, duke u dhënë fund pasigurisë mbi pronën, një çështje që ka shoqëruar Shqipërinë prej më shumë se tri dekadash./Gazeta Panorama
Më të lexuarat








