Kompensimi fizik i pronave, përfundojnë 161 dosje me vlerë 137 milionë lekë (lista)
ATP ka përfunduar shpërndarjen e fondit të kompensimit financiar për pronarët e pasurive private të prekura nga ndërtimet informale.
Agjencia e Trajtimit të Pronave njofton se ka përfunduar procesin e shqyrtimit dhe shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të cilat preken nga ndërtimet informale.
Sipas ATP është mbyllur shqyrtimi i 161 kërkesave, të cilat përfitojnë këstin e parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të kompensimit në të holla, në masën 70% të vlerës totale të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.
Shuma totale e kompensimit që shpërndahet për këto raste arrin në rreth 137 milionë lekë.
Referuar njoftimit të ATP, procesi është zhvilluar në bazë të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, si edhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar dhe akteve të tjera nënligjore përkatëse.
Për 161 kërkesat e miratuara, dokumentacioni i paraqitur ka rezultuar në përputhje me kriteret e përcaktuara në VKM nr. 383, datë 19.05.2010. ATP bën të ditur gjithashtu se shumat përkatëse do të kalohen në llogaritë bankare të përfituesve pas përfundimit të procedurave të transfertave në bankat e nivelit të dytë, në ditët në vijim. /ekofin.al