
Rriten sanksionet me gjoba dhe forcohen kontrollet, çfarë parashikon drafti për sigurinë ushqimore
Ministria e Bujqësisë propozon projektligjin “Për kontrollet zyrtare” për të forcuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e kafshëve dhe bimëve.
Ministria e Bujqësisë ka paraqitur për konsultim publik projektligjin e ri “Për kontrollet zyrtare”, i cili synon të forcojë standardet e sigurisë ushqimore, mbrojtjes së bimëve, shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, si dhe funksionimin e tregut.
Kontrollet zyrtare do të verifikojnë respektimin e rregullave ligjore mbi kafshët dhe mallrat në çdo fazë të prodhimit, përpunimit, shpërndarjes dhe përdorimit; substancat, materialet dhe objektet që ndikojnë në karakteristikat ose shëndetin e tyre, duke u kontrolluar në të gjitha fazat; operatorët dhe aktivitetet e tyre, përfshirë mbajtjen e kafshëve, pajisjet, transportin, ambientet, rrethinat si dhe dokumentacionin përkatës.
Kontrollet do të shtrihen mbi të gjithë operatorët që veprojnë në fushat e prodhimit, përpunimit, transportit dhe tregtimit të ushqimeve, të ushqimit për kafshë, të inputeve bujqësore (si farat, plehrat kimike, pesticidet), si dhe te aktivitetet që lidhen me mbrojtjen e bimëve dhe shëndetin e kafshëve.
Shpeshtësia e kontrollit
Institucioni përgjegjës për kryerjen e kontrollit zyrtar (IPKZ) kryen kontrolle zyrtare të rregullta ndaj operatorëve, të bazuara në nivelin e riskut dhe me frekuencë të përshtatshme. Në këto kontrolle merren parasysh rreziqet e identifikuara, që lidhen me kafshët, mallrat, aktivitetet e operatorëve, vendndodhjen, si dhe përdorimin e produkteve ose proceseve që ndikojnë në sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, shëndetin e kafshëve, të bimëve dhe mjedisin.
Po kështu do të mbahet parasysh mundësia e mashtrimit të konsumatorëve, sidomos mbi natyrën, origjinën, përbërjen, sasinë apo metodën e prodhimit të ushqimit.
Autoritetet do të mbajnë parasysh edhe historikun e operatorëve, lidhur me rezultatet e kontrolleve të mëparshme dhe respektimin e rregullave ligjore. Gjithashtu do të mbahet parasysh edhe besueshmërinë e kontrolleve vetjake të operatorëve ose atyre të kryera nga palë të treta që mund të jenë skema private të sigurimit të cilësisë.
Kontrollet zyrtare kryhen pa njoftim paraprak, përveç rasteve kur njoftimi paraprak është i nevojshëm dhe i justifikuar, përcaktohet në projektligj.
Kontrollet për mishin dhe thertoret
Rregullat e veçanta për kontrollet zyrtare mbi produktet me origjinë shtazore për konsum njerëzor parashikojnë verifikimin e përputhjes ligjore me standardet e higjienës ushqimore, rregullat për nënproduktet shtazore, mbrojtjen e kafshëve gjatë therjes dhe sigurinë e produkteve me origjinë shtazore.
Më konkretisht, kontrolli specific për mishin, do të përfshijë inspektimin para therjes nga veterinerët zyrtarë, me asistencë të ndihmësve të trajnuar; inspektimin pas therjes dhe kontrollet në thertore, stabilimente prerjeje dhe përpunimi; monitorimin e higjienës së prodhimit, pranisë së mbetjeve të barnave veterinare dhe ndotësve, auditimin e praktikave të higjienës (HACCP), testet laboratorike për sëmundje dhe agjentë zoonotikë, si dhe trajtimin e nënprodukteve shtazore.
IPKZ, në bazë të analizës së rriskut, mund të lejojë stafin e thertores të asistojë në kryerjen e disa detyrave që lidhen me kontrollet zyrtare në stabilimentet që therin shpendë ose lagomorfë, ose, në stabilimente që therin kafshë të llojeve të tjera, për të kryer detyra specifike të marrjes së mostrave dhe testimit në lidhje me kontrolle të tilla, me kusht që stafi të veprojë në mënyrë të pavarur nga stafi i repartit të prodhimit të thertores; të ketë marrë një trajnim të përshtatshëm për kryerjen e këtyre detyrave; dhe t’i kryejë këto detyra në praninë dhe duke ndjekur udhëzimet e veterinerit zyrtar ose të ndihmësit zyrtar.
Ligji parashikon një përgjegjësi të shtuar të veterinerit zyrtar, i cili mbahet përgegjës për të gjitha këto inspektime dhe vendimet e marra në vijim të kontrolleve zyrtare, edhe nëse kryerjen e një veprimi ia ka caktuar ndihmësit zyrtar.
Kundërvatjet administrative dhe gjobat
Ligji parashikon një sërë gjobash për kundërvajtjet administrative që variojnë nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë, në rastet kur nuk siguron akses në pajisje, mjete transporti, mjedise dhe vende të tjera nën kontrollin e operatorit të biznesit, sisteme kompjuterike, kafshë dhe mallra, dokumente dhe informacione të tjera relevante;
200 mijë deri në 500 mijë lekë, në rastet kur nuk mundëson zbatimin e kontrolleve zyrtare, duke përfshirë marrjen e mostrave, duke vënë në dispozicion një sasi të mjaftueshme të mostrës falas për analizë;
500 mijë deri në 700 mijë lekë, në rastet kur ka mospërputhshmëri;
500 mijë deri 700 mijë lekë në rastet kur nuk zbaton të gjitha masat për eleminimin e mospërputhshmërisë për mallrat që futen në territorin e vendit, si dhe
1 milion deri në 2 milionë lekë, në rastet kur kryen aktivitetin në njësi të paregjistruar ose të pamiratuar ose nëse nuk është në listën e operatorëve sipas ligjit./ekofin.al
Më të lexuarat








