Inflacioni zbret në 2.4 për qind në korrik, rritja më e madhe e çmimeve tek argëtimi dhe kultura
Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në muajin korrik 2025 rezultoi 2,4 %, duke shënuar një nivel të qëndrueshëm të inflacionit.
Sipas të dhënave zyrtare, rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua në grupin “Argëtim dhe kulturë”, me një rritje të fortë prej 12 % krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Grupet e tjera që kanë kontribuar në rritjen e çmimeve ishin “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me nga 3,3 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2,7 %, si dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,8 %. Po ashtu, janë shënuar rritje më të moderuara në shërbimin arsimor dhe mallrat/shërbimet e ndryshme (me nga 1,6 %), komunikimi (1,4 %), shëndeti (1 %), veshje dhe këpucë (0,4 %) dhe qiratë, uji, lëndët djegëse dhe energjia (0,3 %).
Në të kundërt, çmimet e transportit kanë shënuar një ulje prej 0,8 % në terma vjetorë.
Ndërkohë, ndryshimi mujor i IHÇK-së në korrik ishte -0,2 %, i ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 1,1 %, por edhe nga rënia në grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” (-0,3 %), “Veshje dhe këpucë”, “Mobilim dhe pajisje shtëpie” dhe “Shëndeti” (të gjitha me -0,2 %), si dhe transporti me një ulje të lehtë prej 0,1 %.
Nga ana tjetër, disa grupe shënuan rritje mujore, ku më e larta ishte në “Argëtim dhe kulturë” me 1,7 %, ndjekur nga “Hotele, kafene dhe restorante” (0,5 %), “Pije alkoolike dhe duhan” (0,3 %) dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” (0,2 %)./ekofin.al