Secondary Adv

Ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit, hapet tenderi 107.6 mln lekë

Me një fond limit prej 107.6 mln lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit mbi lumin Mat.

Hapja e procedurës së prokurimit publik vjen pas mbylljes së qarkullimit të automjeteve, për shkak të gjendjes së themeleve të saj.

 

Sipas raportit teknik të përgatitur në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, pilotat mbajtëse të urës janë ekspozuar dhe gërryer 3 - 5 metra, për shkak të erozionit dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të shtratit të lumit.

 

Kontrata që synohet të lidhet parashikon betonimin dhe mbrojtjen e pilotave, vendosjen e blloqeve të lidhura (gabioneve) për stabilizimin e shtratit, si dhe pastrimin dhe nivelimin e zonës përreth themeleve. Sipas parashikimeve, këto masa do të zgjasin jetëgjatësinë e urës për të paktën 5 deri në 10 vjet.

 

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se pas përfundimit të procedurës së prokurimit, punimet do të nisin menjëherë, duke pasur parasysh se ndërhyrja klasifikohet si emergjente. Ndërkohë që, sipas grafikut të punimeve, parashikohet që ndërhyrja të kërkojë 8 javë.

 

Ura e Milotit ndodhet në aksin rrugor Milot - Lezhë dhe është një nyje kyç në këtë aks kombëtar. Projekti për ndërtimin e saj ka datën 24.04.1979. /Scan


Më të lexuarat