Panariti: Sistemi hidrik shqiptar ka nevoje per investime, mirembajtje dhe menaxhim
Një muaj pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit me Republikën Popullore të Kinës, në fushën e menaxhimit të integruar dhe administrimit të ujërave, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, priti sot një përfaqësi të kompanisë prestigjoze kineze, “Power China”.
Qëllimi i takimit mes biznesmenëve kinez dhe ministrit Panariti, ishte fillimi i punës konkrete në projekte afatshkurtra dhe afatmesme.Pala kineze, e përfaqësuar nga një prej drejtuesve të “Power China”, Zhang Kezhen, kërkoi nga pala shqiptare një plan strategjik të zhvillimit të sektorit të ujërave dhe administrimit të tyre dhe në këtë kuadër, të identifikohen nevojat më imediate për menaxhim.
Ndërkohë, që u shpreh e gatshme për të garantuar, si investime direkte, ashtu edhe financim të projekteve.Ministri i Bujqësisë identifikoi dy sektorë të rëndësishëm ku mund të ndërhyjë kompania kineze, siç është sistemi ujor kombëtar, si dhe hartimi i projekteve të fizibilitetit për energjinë alternative, me panele diellore ose me anë të erës dhe për këtë të fundit, identifikoi Gadishullin e Karaburunit.
Më tej, ministri Panariti iu prezantoi përfaqësuesve të “Power China” edhe situatën e sektorit ujor në vend, duke kujtuar që “në vitit `70, janë ndërtuar shumë vepra nga Kina, siç është dhe HEC i Fierzës”. “Eshtë koha të rikuperojmë kohën e humbur, sepse sistemi hidrik shqiptar ka nevojë për investime, mirëmbajtje dhe menaxhim, sipas standardeve të kohës. Për këtë arsye jemi këtu sot, pasi edhe ‘Power China’ është një partner serioz ndërkombëtar”.
Gjatë diskutimeve, u konkludua që gjatë muajit dhjetor të këtij viti, specialistët e kompanisë kineze dhe të Ministrisë shqiptare të Bujqësisë, të fillojnë punën konkrete, me qëllim konkretizimin e disa projekteve fizibiliteti për sektorë që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Ndërsa Ministri i Bujqësisë deklaroi se, në vazhdim të bashkëpunimit, mund të ndiqet dhe modeli PPP (Partneriteti Publik-Privat).
Kompania kineze “Power China” është aktive në sektorin e ujit, në infrastrukturën ujitëse, në projektet e transferimit të ujit, trajtimit të ujërave të zeza, si dhe në projektet e shfrytëzimit të ujit në Azi e Afrikë. Aktualisht, “Power China” është gjithashtu, duke punuar me partnerë vendas dhe të huaj për të zgjeruar aktivitetin në përpunimin dhe distlilimin e ujit të detit.