Secondary Adv

Pushteti vendor, në 5-mujorin e parë u mblodhën 17 për qind më pak të ardhura se në 2024

Në 5-mujorin e parë të 2025, të ardhurat e pushtetit vendor ranë me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.

Zgjedhjet e 11 majit kanë patur ndikimin e tyre në mbledhjen e të ardhurave të pushtetit lokal. Të dhënat e Ministrisë së Financave për pesëmujorin e parë të vitit 2025, tregojnë se janë mbledhje në nivel kombëtar 15 miliardë lekë të ardhura tatimore. Ky nivel është 17% më i ulët (3 miliardë lekë më pak) se i të njëjtës periudhë të vitit 2024.

 

Ndërkohë, rezulton se të ardhurat nga taksat lokale mbetën burimi kryesor i financimit për njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke zënë mbi 74% të totalit të të ardhurave të veta.

 

Taksat lokale përbëjnë rreth 74.2% të të ardhurave vendore, me 11.1 miliardë lekë të mbledhura gjatë 5-mujorit 2025, që përfaqëson rreth 35% të planit vjetor. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat nga ky burim janë ulur me 21%, kryesisht për shkak të rënies së “taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, e cila gjithsesi mbetet zëri më i madh, duke zënë rreth 30% të totalit të të ardhurave të veta vendore. Tarifat e pastrimit dhe higjienës zënë një tjetër peshë të konsiderueshme, rreth 20% të totalit.

 

Si pasojë e ndryshimeve fiskale të vitit 2020, taksa mbi biznesin e vogël është pothuajse e zeruar, ndërsa gjatë 5-mujorit 2025 nga ky zë janë mbledhur vetëm 5 milionë lekë, që përfaqësojnë detyrime të prapambetura të paguara me vonesë.

 

Sa u përket të ardhurave jotatimore të pushtetit vendor, ato arritën në 1.6 miliardë lekë, ose 56% e planit vjetor, duke treguar një nivel të lartë realizimi në gjysmën e parë të vitit. /ekofin.al (https://ekofin.al/zgjedhjet-cakorduan-pushtetin-vendor-ne-5-mujorin-e-pare-u-mblodhen-17-me-pak-te-ardhura-se-ne-2024/)


Më të lexuarat