Secondary Adv

Shqipëria, kapacitete dhe financime minimale për mbrojtjen nga zjarri krahasuar me BE

Kapacitetet zjarrfikëse në Shqipëri mbeten ndër më të ulëtat në rajon dhe shumë larg mesatares europiane.

Sipas raportit “Qeverisja vendore në Shqipëri 2024”, buxheti i mbrojtjes nga zjarri për vitin 2024 ishte vetëm 1.5 miliardë lekë, i shpërndarë si transfertë për 61 bashkitë e vendit. Prej vitit 2016, ky funksion i është kaluar njësive të vetëqeverisjes vendore, por sfidat në terren vijojnë të jenë të mëdha. Shqipëria numëron gjithsej 70 stacione zjarrfikëse, secila me staf minimal prej 14 punonjësish.

 

Në rang kombëtar, treguesit janë shqetësues: vetëm 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë dhe 0.9 automjete zjarrfikëse për 10,000 banorë, një kapacitet që bie ndesh me nevojat reale, veçanërisht në rastet e zjarreve pyjore.

 

Për vitin 2025, buxheti i parashikuar për mbrojtjen nga zjarri është rreth 21 milionë euro, ndërsa për emergjencat civile gjithsej 55 milionë euro, fonde të konsideruara jashtëzakonisht të pamjaftueshme për përballimin e fatkeqësive natyrore.

 

Ndërkohë, panorama në Bashkimin Evropian paraqitet krejt tjetër. Sipas të dhënave nga Eurostat, në vitin 2024, vendet e BE-së numëronin 390 600 zjarrfikës profesionistë, që përbënin 0.19% të totalit të punësimit në BE, me një rritje prej 28 200 punonjësish krahasuar me vitin 2023.

 

Kroacia kryeson me përqindjen më të lartë të zjarrfikësve ndaj punësimit total (0.45%), e ndjekur nga Greqia (0.41%) dhe Çekia (0.34%). Ndërsa më poshtë në listë janë Holanda (0.07%), Danimarka (0.08%) dhe Suedia (0.10%).

 

Edhe në aspektin e financimit, hendeku është i dukshëm. Në vitin 2023, qeveritë e BE-së shpenzuan 40.6 miliardë euro për shërbime zjarrfikëse, duke përfaqësuar 0.5% të shpenzimeve totale qeveritare, një përqindje e qëndrueshme që prej vitit 2017.

 

Rumania renditet e para me 0.9% të shpenzimeve qeveritare të dedikuara për mbrojtjen nga zjarri, e ndjekur nga Estonia dhe Greqia me 0.7% secila. Në krahun tjetër, Danimarka shpenzon më pak (0.1%), pasuar nga Malta (0.2%), Portugalia dhe Austria me nga 0.3%. /ekofin.al


Më të lexuarat