Rivlerësimi i pasurive, Dhoma Amerikane: Ndryshime për dhurimin e pronave dhe bizneset
Përmes një shkrese dërguar Ministrisë së Financave, Dhoma Amerikane e Tregtisë evidenton problematikat që ka projektligji për rivlerësimin e pasurive dhe rekomandon ndërhyrje.
Draftligji i ri për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili do të lejojë pronarët, qofshin individë apo biznese, të përditësojnë vlerën e pasurive të tyre sipas tregut aktual, në këndvështrimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë paraqet pasaktësi dhe vështirësi në zbatimin praktik.
Përmes një shkrese dërguar Ministrisë së Financave, Dhoma Amerikane e Tregtisë evidenton problematikat që ka projektligji dhe rekomandon ndërhyrje.
Konkretisht theksohet se ka paqartësi në rastet e kalimit të mëvonshëm të pronësisë mbi pasuritë e rivlerësuara përmes dhurimit apo trashëgimisë.
Ndaj rekomandohet se në rast kalimi të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, përfshirë dhurim dhe trashëgimi, në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të bërë pas rivlerësimit, tatimi të llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencës e vlerës në momentit të kalimit të së drejtës së pronësisë me vlerën e rivlerësuar për të cilën është paguar tatimit.
Por ashtu rekomandohen ndryshime sa i takon rivlerësimit të pasurive që janë asete të bizneseve, pasi sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë parashikohet që rivlerësimi të bëhet duke u nisur nga vlera kontabël aktuale e pasurisë, jo nga vlera e saj fiskale. Ky formulim mund të krijojë paqartësi, sepse standardet e kontabilitetit (kombëtare ose ndërkombëtare) përcaktojnë mënyra të ndryshme të rivlerësimit. Sipas Dhomës Amerikane ligji i fundit për rivlerësimin në 2016 kishte të njëjtin formulim dhe solli paqartësi të mëdha për kontabilistët dhe audituesit.
Për këtë arsye sugjerohet se personat juridike, të cilat kanë pasuri të paluajtshme të regjistruara në pasqyrat financiare, mund të bëjnë rivlerësim për qëllime tatimore nga vlera fiskale aktuale në vlerën e tregut brenda datës 30 shtator 2026.
Diferenca ndërmjet vlerës së re që rezulton nga rivlerësimi me vlerën kontabël të pasurisë duhet të reflektohet në pasqyrat financiare të vitit 2026, sipas kërkesave të standardeve të kontabilitetit që zbaton personi juridik.
Personat juridikë, për të kryer rivlerësimin, do të paguajnë 5% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës fiskale të regjistruar për pasuritë e paluajtshme.
Personi juridik duhet të mbajë një kartelë të pasurisë së paluajtshme, ku evidentohet vlera përkatëse e pasurisë nga momenti i rivlerësimit. Diferenca ndërmjet vlerës së re dhe vlerës fiskale të regjistruar nuk amortizohet për qëllime tatimore. Në rastet kur personi juridik transferon të drejtën mbi pasuritë rivlerësuara, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital dhe detyrimit tatimor, nga çmimi i shitjes zbritet vlera e rivlerësuar e pasurisë. /Scan