Secondary Adv

Zjarret, Rama: Monitorim me dronë me kamera termike, nisim me blerjen e dy avionëve zjarrfikës

24 zjarrfikës, ushtarë dhe policë, 4 prej të cilëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, u nderuan nga kryeministri Edi Rama për betejën që bënë me zjarret gjatë verës që prekën vendin. 

Në ceremoninë e Mirënjohes Kombëtare, ku iu dha atyre medalje për kontributin e dhënë, Rama tha se ndonëse shteti u përball me një situatë të vështirë, nuk u thye. 

 

“100 misione nga ajri, qindra ndërhyje dhe ky shtet nuk u thye, por tregoi se mekanizimi i Mbrojtjes Civile nga fshati më i largët deri tek qendra e Tiranës mundi dhe diti të jepte më të mirën.", u shpreh Rama. 

 

Kreu i qeverisë njoftoi se Shqipëria do të blejë dy avionë zjarrfikës për të ndërtuar flotën e saj. Nuk kurseu ironinë për ata që i quajti si 'ekspertët online të fikjes së zjarrit', teksa tha se avionët nuk janë magjistarë, duke përmendur edhe vende të tjera, që edhe pse kanë avionë, sërish u 'përcëlluan' nga flakët. 

 

"Avionët janë një krah i fuqishëm në betejë dhe ne do kemi së shpejti flotën e avionëve tanë që do nisë të ndërtohet me 2 avionë zjarrfikës, por magjia është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë”, shtoi Rama. 

 

Nuk kurseu kritikat as për gjyqtarët, teksa tha se mendjet kriminale që kanë ndezur zjarre të qëllimshme jo pak herë kanë gjetur 'aleatë' edhe nëpër gjykata, duke dhënë "vendime të ububushme" në favor të tyre. Kryeministri paralajmëroi se do të ketë zero tolerancë ndaj atyre që shkelin interesat e vendit, ndërsa shtoi se i ka kërkuar edhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja që t'i referojë rastet në organet drejtuese të gjyqësorit.

 

"Nuk do të lëmë gur të shtratit ligjor pa lëvizur" për të vënë para përgjegjësisë ligjore këta figura me uniformë që shkelin interesin e vendit, por siguroi mbështetje institucionale për të gjithë ata që punojnë në mbrojtje të interesit publik. 

 

"Disa personave që nuk iu dihen emrat e nuk iu njihet fytyra me ndjeshmëri njerëzore zero, dhe integritet moral zero me xhufkë, në ajër të kondicionuar mbuluar me tyrbën e zezë të gjykatësit përqeshin sakrificat dhe shkelin me të katër këmbët interesat e vendit, duke dhënë vendime të ububushme jo në mbrojte të republikës, por në favor të zjarrvënësve. I kam kërkuar ministrit të Drejtësisë t’i përcjellë organet e qeverisjes së gjyqësorit rastet e mësipërme. Nuk janë shumë por mjaft për të vënë duar në kokë.", tha Rama.

 

Bëri edhe një falënderim të veçantë për të gjithë miqtë e huaj, që sollën ndihmën e vyer nga ajri, veçanërisht ata nga Emiratet e Bashkuara, 4 prej të cilëve u nderuan me medalje mirënjohjeje.

 

Në fund, kreu i qeverisë tha se do të punojnë më shumë për parandalimin dhe përmirësimin e punës në luftën kundër zjarrit, "përbindëshit" siç e cilësoi ai, për shkak se në vitet në vijim pritet të jetë më i egër duke marrë parasysh pasojat e ndryshimeve klimatike. 

 

"Parandalim më të mençur, pastrim pyjesh, korridorë natyrorë, më shumë dronë në përdorim dhe futjen në përdorim gjerësisht të dronëve për mbjelljet e reja në sipërfaqe të djegura, teknologji për sistem alarmi të hershëm, dhe qendra të integruara të kontrollit. Por të gjitha këto nuk na çojnë lart pa edukimin dhe ndërgjegjësimin", u shpreh kryeministri.

 

Mbi 56 mijë hektarë u dogjën në Shqipëri gjatë muajve të kësaj vere, më i lartë ndonjëherë, ndërsa dëme të mëdha u regjistruan në banesa, bujqësi dhe blegtori. /Shqiptarja


Më të lexuarat