Secondary Adv

Komisioni Rregullator vulos sot rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit

Komisioni Rregullator, në mbledhjen që do të nisë në orën 11:30, pritet që të miratojë zyrtarisht rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.


Komisioni Rregullator do t'i vendosë sot 'kapak' përfundimisht rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit. Gjatë mbledhjes që do të nisë në orën 11:30, Komisioni do të miratojë numrin e votave, të mandateve dhe listave emërore për çdo subjekt zgjedhor për çdo zonë zgjedhore dhe në rang vendi. 

 

Pas miratimit të rezultatit zgjedhor, do të jetë presidenti Bajram Begaj, i cili do të dekretojë fillimin e legjislaturës së 11-të brenda 10 ditëve nga përfundimi i Kuvendit të vjetër. Pritet mbledhja e parë të Kuvendit të ri, e cila do të shënojë edhe fillimin zyrtar të legjislaturës së re për katër vitet e ardhshme.

 

Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste mori 83 mandate, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore 50 mandate. Partia Socialdemokrate tre deputetë, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat. 

 

11 maji, pas fitores së thellë të socialistëve, u shoqërua me akuza për vjedhje zgjedhjesh nga PD. Rinumërimi në qarkun e Tiranës reflektoi gabime njerëzore, por pa ndryshim në rezultat. Rinumërimi i Fierit i dha mandat me 10 vota diferencë Maldrita Bardhos, por kjo e fundit e refuzoi, duke Ia lënë karrigen Zegjine Caushit, e cila kishte fituar në raundin e parë të numërimit.

 

Në Durrës, kutitë që u hapën nuk i dhanë Aulon Kalasë votat e duhura për t'i marrë mandatin ish-prokurorit Arjan Ndoja. 

 

'Kaos' pati edhe brenda koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, mandati i vetëm i së cilës përplasi publikisht Adriatik Lapajn dhe Endri Shabanin. Edhe kësaj 'sage', Kolegji Zgjedhor i dha fund pak ditë më parë, duke ia dhënë mandatin Ana Dajkos, dhe duke lënë jashtë kuvendit Lapajn./Shqiptarja.com


Më të lexuarat