Aeroporti i Vlorës, nënshkruan kontratën e parë për fluturime me Zyrihun nga qershori 2026
Aeroporti i Vlorës ka njoftuar lidhjen e kontratës me kompaninë e parë ajrore që pritet të zbresë në pistën e tij.
Ekofin.al mëson se në bazë të kontratës koncesionare të nënshkruar me shtetin shqiptar, Aeroporti i Vlorës duhet të nisë operimet në mars 2026. Kjo edhe pse fluturimi i parë inaugurues u krye në maj para ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Në një njoftim në rrjetet sociale, Aeroporti shprehet se “Chair Airline” do të jetë kompania e parë ajrore që do të operojë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, me fluturime direkte për në Zyrih duke filluar nga 26 Qershor 2026 (dy herë në javë deri më 23 Tetor 2026).
Ky është një moment historik për aeroportin tonë të ri dhe një hap i madh përpara për të forcuar lidhjet me Rivierën Shqiptare, thekson VIA në njoftim
“Ky është një moment i rëndësishëm për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës; të mirëpresim Chair Airline, kompaninë e parë ajrore që njofton fillimin e operimeve për në aeroportin tonë të ri. Jemi të angazhuar t’u ofrojmë udhëtarëve shërbim cilësor dhe një eksperiencë të këndshme udhëtimi. Besojmë se kjo marrëveshje do të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e turizmit dhe vizitave VFR në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë.” – shprehet Valon Lluka, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Qytetarët mund të rezervojnë biletat nga ky moment, thuhet në njoftim. /ekofin.al(https://ekofin.al/aeroporti-i-vlores-nis-operimet-ne-mars-2026-nenshkruan-kontraten-e-pare-per-fluturime-me-zyrihun-nga-qershori-2026/)