
Drafti i Kodit Penal del në konsultim publik, të gjitha ndryshimet e propozuara
Pas prezantimit në konferencë dhe debatimeve nga ekspertë, projektligji i Kodit Penal të Shqipërisë është hapur për konsultim publik.
Pas prezantimit në një konferencë të drejtësisë dhe pas shoqërimit me shumë debate nga profesionistë të ndryshëm dhe palë të interesuara, projektligji për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë është hedhur në konsultim publik.
Debateve të ashpra nga profesionistët dhe media mbi kundërshtimin e shumë neneve të Kodit Penal, veçanërisht sa u përket aspekteve të profesioneve të lira, tatimeve, kufizimit të lirisë së shprehjes etj, Kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh në deklaratë publike se draftin e rishikuar pas komenteve të profesionistëve do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament.
Çfarë parashikon drafti i ri i Kodit Penal?
Sipas relacionit, në draftin e ri të Kodit Penal propozohet një rishikim i thellë i sistemit, duke sjellë risi të rëndësishme si në përcaktimin e veprave penale, ashtu edhe në mënyrën e dënimit. Dokumenti synon të modernizojë legjislacionin, të sigurojë qartësi juridike dhe ta afrojë atë me standardet evropiane.
Drafti vendos në qendër riparimin e dëmit të viktimës dhe reduktimin e arbitraritetit në vendosjen e dënimeve. Ai parashikon shtim të dënimeve alternative ndaj burgimit për vepra të lehta, si dhe dënime plotësuese. Po ashtu, përcaktohet më qartë përgjegjësia penale për mbajtjen e lëndëve narkotike, sipas sasisë dhe llojit të tyre.
Kriminalizimi i veprave të reja
Një pjesë thelbësore e ndryshimeve është futja e veprave të reja penale që pasqyrojnë zhvillimet e kohës. Ndër to përfshihen terrorizmi kibernetik, trafikimi i armëve (edhe atyre të printuara 3D), evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit dhe korrupsioni në prokurimet publike. Po ashtu kriminalizohet ofrimi i ushqimeve të pasigurta, mashtrimi me produktet ushqimore, punësimi i paligjshëm i të huajve, falsifikimi i mjeteve të pagesës, pengimi i drejtësisë dhe forma të reja të vrasjes, si ajo me pëlqimin e viktimës apo ajo e nxitur nga bullizmi.
Në të njëjtën kohë, disa vepra të vjetruara hiqen nga Kodi Penal. Drafti sjell një terminologji më të saktë dhe përkufizon nocione juridike që deri më tani mungonin, duke reduktuar boshllëqet në praktikë.
Projektligji është ndërtuar në përputhje me acquis të Bashkimit Evropian, duke kriminalizuar sjellje të përcaktuara nga aktet evropiane dhe duke përafruar legjislacionin shqiptar me standardet e integrimit.
Kodi i ri parashikon institute të reja, si trajtimi i gabimit në fakt apo në ligj, rregullimi i tentativës, bashkëpunëtorëve në krim, recidivizmit dhe përgjegjësisë penale të personave juridikë. Gjithashtu, për herë të parë saktësohen rrethanat që përjashtojnë autorin nga përgjegjësia penale.
Masat për të miturit
Drafti sjell një qasje të re ndaj të miturve, duke vendosur masa edukative që synojnë zhvillimin e tyre moral e shoqëror, me alternativa që shkojnë nga këshillimi deri te vendosja në institucione edukativo-korrigjuese. Gjykata mund të vendosë edhe detyrime shtesë, si kërkimi i faljes, vijimi i shkollës apo ndalimi i kontakteve me persona të caktuar.
Projektligji adreson në mënyrë të qartë përgjegjësinë penale të personave juridikë, duke përcaktuar kritere të reja për dënimin e tyre, në përputhje me praktikat evropiane dhe me synimin për të luftuar krimin e organizuar.
Risitë kryesore
Sipas relacionit shoqërues, projektligji sjell risi në zbutjen e masave të dënimit si dhe në përcaktimin e kufijve të dënimit në mënyrë më logjike, duke limituar diskrecionin absolut të gjykatës, e cila përbën shkak për abuzim në praktikë. Kujtojmë se aktualisht në Kodin Penal në fuqi kemi vepra penale ku masa e dënimit fillon nga gjobë deri në burgim deri në 10 vjet. Këto lloje dënimesh konsiderohen absurde duke marrë parasysh faktin se asnjë veprim nuk mund të jetë njëlloj i rrezikshëm për tu dënuar me 6 muaj burgim deri në 10 vjet burgim pasi masa e dënimit diktohet nga rrezikshmëria e veprës. Rrjedhimisht është e pamundur që për një vepër të ketë marzhe kaq të gjera dënimi. Drafti aktual synon ngushtimin e këtyre marzheve, thuhet në dokument. .
Në kod është dhënë përkufizimi i evazionit tatimor, me qëllim shmangien e zbatimit në praktikë të këtyre dispozitave. Gjithashtu, janë përcaktuar rastet se kur ky evazion do të konsiderohet serioz.
Lidhur me veprat penale në fushën e tatimeve, të cilat përbëjnë edhe risi, janë veprat penale të evazionit nëpërmjet TVSH, transaksioneve joekzistuese, evazioni kundër financave të BE, dhe shkeljet e rregullave mbi dokumentacionin e të dhënave tatimore. Konspiracioni për të kryer evazion fiskal është parashikuar gjithashtu si vepër penale më vete.
Projekligji do të qëndrojë në konsultim deri në datën 24 shtator 2025./ekofin.al
Më të lexuarat








