Menaxhimi i mbetjeve, reformë e re me operator kombëtar
Kryeministri Edi Rama ka shpallur nisjen e një reforme të re në menaxhimin e mbetjeve, të cilën e cilësoi si hap vendimtar për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në qendër të kësaj reforme është krijimi i një Operatori Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, që do të marrë përsipër grumbullimin dhe trajtimin në të gjithë territorin e vendit.
“Pa marrjen e përgjegjësisë për trajtimin e mbetjeve si detyrë kombëtare dhe për riciklimin e tyre deri në asgjësim, kapitulli i mjedisit në negociata është një rrugë pa dalje,” deklaroi Rama. Sipas tij, projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve do të harmonizojë legjislacionin shqiptar me atë europian, duke përcaktuar hierarkinë nga parandalimi deri te asgjësimi, si dhe krijimin e një fondi të ekonomisë së mbetjeve.
Rama theksoi se, ndryshe nga modeli aktual, bashkitë nuk do të kenë më rol drejtues në menaxhimin e mbetjeve, por do të funksionojnë si klientë të operatorit të ri kombëtar.
“Kjo ndërmarrje e re do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, por procesi i trajtimit do të përqendrohet në një strukturë të vetme kombëtare, në bashkëpunim me hallkat e tjera të qeverisjes,” tha ai.
Kryeministri shprehu keqardhje që edhe pse vërehen përmirësime në disa zona, si në Himarë, mungon ende ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe përmirësimet në trajtimin real të mbetjeve.
Rama e cilësoi mjedisin si “kapitullin më të vështirë dhe sfidues të negociatave për anëtarësim në BE”, duke kërkuar angazhim nga të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës publike.
“Me Himarën dhe më tej gjërat kanë shkuar më mirë se vitin e kaluar, por nevojitet një ritëm më i lartë reformash ligjore dhe masash konkrete. Të gjithë, pa përjashtim, duhet të ndërgjegjësim se ky është aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE,” u shpreh Rama.
Projekti i ri parashikon krijimin e një tregu të centralizuar të shërbimeve të mbetjeve, ku bashkitë do të blejnë shërbimin nga operatori kombëtar. Kjo nënkupton ndryshim të modelit financiar të menaxhimit, si dhe ngritjen e një fondi të posaçëm për ekonominë e mbetjeve, që pritet të gjenerojë investime në riciklim dhe teknologji të trajtimit.
Sipas qeverisë, harmonizimi me direktivat europiane është thelbësor jo vetëm për anëtarësimin, por edhe për të përmirësuar cilësinë e jetës, për të krijuar vende pune në industrinë e riciklimit dhe për të reduktuar kostot afatgjata të menaxhimit të mbetjeve. /Monitor(https://monitor.al/menaxhimi-i-mbetjeve-reforme-e-re-me-operator-kombetar/)