
Kredi me Garancinë Sovrane: Afat deri më 11 nëntor për aplikimin, dokumentet e kërkuara
Deri më 11 nëntor 2025 është afati i aplikimit për fermerët dhe bizneseve, pranë bankave të nivelit të dytë për kredi nëpërmjet garancisë sovrane për sektorin e bujqësisë.
Ndërsa afati për disbursimin e kredive është përcaktuar të jetë jo më vonë se 12 dhjetor 2025. Aplikimet janë të hapura në 11 banka të nivelit të dytë.
Në marrëveshjen e garancie për garantimin e huamarrjes së subjekteve në sektorin e bujqësisë përcaktohet se përfituesit e skemës duhet të jenë subjekte mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe fermerë të regjistruar me NIPT, që nuk kanë detyrime të papaguara tatimore apo kredi problematike. Në marrëveshje gjithashtu specifikohet se huamarrësi nuk duhet të ketë detyrime në historik dhe në momentin aktual ndaj Ministrisë së Financave që rrjedhin nga 3 skemat e mëparshme të Garancive Shtetërore.
Për aplikim subjektet do të dorëzojnë pranë bankave të nivelit të dytë:
a) Formularin e aplikimit;
b) Projekt propozimin;
c) Subjektet juridike duhet të dorëzojnë, ekstrakt të regjistrit tregtar për të dhënat e subjektit, ndërsa fermerët duhet të dorëzojnë, certifikatë regjistrimi, vërtetim për Ilojin e aktivitet bujqësor.
Sipas marrëveshjes së re të miratua me vendim të këshillit të ministrave më 31 korrik 2025, shteti garanton deri në 70% të shumës kryesore të huasë, me një kufi maksimal për çdo huamarrës prej 25 milionë lekësh. Kreditë do të jenë me afat nga 3 deri në 5 vjet, me normë interesi maksimale 2%, dhe tarifa totale jo më shumë se 0.5%. Në marrëveshje gjithashtu përcaktohet se huadhënësit do ta ofrojnë kredinë me një periudhë pa pagesë principali (grace) prej jo më pak se 12 muaj.
Në total vlera e Garancisë Sovrane për sektorin e bujqësisë do të jetë 3 miliardë lekë.
Kjo është garancia e katërt sovrane e miratuar nga qeveria. Garancia e parë Sovrane u miratua në 2020 në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga Covid-19, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së mirëkuptimit. Në total fondi i kredisë vënë në dispozicion me Garancinë Sovrane 1 është 11 miliardë lekë.
Garancia e dytë Sovrane u miratua në 2022, për garantimin e huamarrjes së subjekteve që tregtonin me shumicë produkte ushqimore bazë për të mundësuar financimin e nevojshëm për mbajtjen e rezervave me qëllim përballimin e situatës së veçantë të krijuar në treg pas luftës në Ukrainë. Me Garancinë Sovrane 2 fondi për t’u shpërndarë ishte në vlerën e 15 miliardë lekëve
Një tjetër Garanci Sovrane u miratua në prill të 2024 për industrinë përpunuese për investime në teknologji dhe inovacion si dhe për blerje të lëndës së parë.
Marrëveshja e Garancisë Sovrane
NENI 2 (Garancia)
- MF merr përsipër të garantojë Huadhënësit deri në vlerën 3 miliardë Lekë (“Vlera e Garancisë”), sipas kushteve dhe kufizimeve të përcaktuara shprehimisht në këtë Marrëveshje. Vlera e Garancisë përfaqëson shumën maksimale të pagesave që do të kryhen nga MF për të shlyer detyrimet e papaguara ndaj Huadhënësit që burojnë nga Huatë që do t’i nështrohen kësaj skeme garancie.
- MF merr përsipër të garantojë deri në Vlerën e Garancisë të cituar në pikën Pikën 1 të këtij Neni, 70% të kryegjësë të çdo Huaje që Huadhënësit do t’u lëvrojnë Huamarrësve sipas kushteve që pasojnë në këtë Marrëveshje.
- “Vlera e Garantuar e Huasë” do të jetë shuma maksimale e garantuar nëpërmjet kësaj Marrëveshje përkatësisht për secilën nga Huatë e lëvruara nga Huadhënësit, në zbatim të kushteve të kësaj Marrëveshje dhe e cila do të jetë e barabartë me prodhimin e kryegjësë të Huasë me përqindjen e kryegjësë të garantuar nga MF sipas Pikës 2 të këtij Neni.
- Në asnjë rast, MF nuk merr përsipër garantimin e interesave, kamatëvonesave, penaliteteve apo çdo lloj detyrimi tjetër monetar, që mund të burojë nga Huatë që Huadhënësit do t’i lëvrojnë Huamarrësve.
- Për qëllimin e mostejkalimit të Vlerës së Garancisë të cituar në pikën Pikën 1 të këtij Neni, Huadhënësit do të raportojnë menjëherë pranë AMGKP me email në adresat e përcaktuara në Nenin 8 të Kesaj Marrëveshje, për çdo aplikim të miratuar dhe shumën përkatëse. AMGKP do t’i konfirmojë Huadhënësit përkatës nëse aplikimi i miratuar nga Huadhënësi nuk shkakton tejkalim të Vlerës së Garancisë, dhe vetëm pas marrjes së këtij konfirmimi, Huadhënësi mund të procedojë me lidhjen e kontratës përkatëse të kredisë, dhe njofton menjëherë AMGKP për nënshkrimin e Kontratës së Kredisë.
Neni 3 Kriteret e kualifikimit të Huamarrësve dhe kriteret për përfitimin e Huasë
Huadhënësit do të japin Hua të garantuar sipas kësaj Marrëveshje subjekteve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe fermerëve të cilët janë të regjistruar dhe të pajisur me certifikatën e NIPT-it të fermerit, sipas tipit të investimit në përputhje me prioritetet e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, sipas Aneksit 2.
Subjektet do të dorëzojnë pranë Huadhënësve:
a) Formularin e aplikimit;
b) Projekt propozimin;
c) Subjektet juridike duhet të dorëzojnë, ekstrakt të regjistrit tregtar për të dhënat e subjektit, ndërsa fermerët duhet të dorëzojnë, certifikatë regjistrimi, vërtetim për Ilojin e aktivitet bujqësor.
Huamarrësit duhet të plotësojnë kriteret si më poshtë:
a) Huamarrësi duhet të jetë subjekt i cili zhvillon aktivitetin si ndërmarrje mikro, e vogël dhe e mesme apo fermer i regjistruar dhe i pajisur me certifikatën e NIPT-it të fermerit në sektorin e bujqësisë.
b) Huamarrësi duhet të jetë subjekt i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në përputhje me Ligjin 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar dhe Ligjin Nr. 9723, datë 03.05.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, dhe struktura e kapitalit të zotërohet 100% nga subjekte jopublike, si dhe fermerët të cilët janë të regjistruar dhe të pajisur me certifikatën e NIPT-it të fermerit.
c) Huamarrësi nuk duhet të ketë detyrime tatimore të papaguara në momentin e aplikimit.
d) Huamarrësi nuk duhet të ketë kredi me probleme, me statusin e kredisë 2, 3, 4, 5, 6, në momentin aktual në Regjistër Kredie.
e) Huamarrësi (aksionari, përfaqësuesi ligjor) nuk duhet të jenë gjykuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për mashtrim, korrupsion, përfshirje në një organizate kriminale apo për çdo lloj veprimtarie tjetër të paligjshme që dëmton interesat financiare të fondeve publike;
f) Huamarrësi nuk duhet të ketë detyrime në historik dhe në momentin aktual ndaj Ministrisë së Financave që rrjedhin nga Skema të mëparshme të Garancive Shtetërore miratuar me:
1) VKM nr.277 datë 06.04.2020 “Për miratimin e garancisë shtetërore të huasë me bankat e nivelit të dytë për pagat e tregtarëve ose shoqërive tregtare, aktiviteti i të cilave është prekur nga vendimet e këshillit të ministrave, në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga Covid-19, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së mirëkuptimit;
2) VKM nr. 387, datë 13.5.2020 “Për miratimin e garancisë shtetërore të huasë me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së tregtarëve ose shoqërive tregtare për të mundësuar financimin e nevojshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të ndikuar nga situata e krijuar nga covid-19, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit;
3) 4) VKM nr. 387, datë 13.5.2020 “Për miratimin e garancisë shtetërore të huasë me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së tregtarëve ose shoqërive tregtare për të mundësuar financimin e nevojshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të ndikuar nga situata e krijuar nga covid-19, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit;
VKM nr. 349, date 26.05.2022 “Për miratimin e garancisë shtetërore të huasë me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së subjekteve që tregtojnë me shumicë produkte ushqimore bazë për të mundësuar financimin e nevojshëm për mbajtjen e rezervave me qëllim përballimin e situatës së veçantë të krijuar në treg, si edhe për përcaktimin e kushteve dhe kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit”; VKM nr. 221, datë 09.04.2024 “Miratimin e garancisë shtetërore të huasë me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së subjekteve të industrisë përpunuese, kategoria nace 2, për investime në teknologji dhe inovacion si dhe për blerje të lëndës së parë si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit”;
Huamarrësi dorëzon formularin e vetëdeklarimit për këtë qëllim pranë Huadhënësit. 4.
Qëllimi i përdorimit të fondeve të Huasë është për t’i mundësuar Huamarrësit fondet e nevojshme për investime për asete fizike dhe teknologjike që rrisin kapacitetet prodhuese, cilësinë e prodhimit dhe eficensën operacionale të tyre. Në asnjë rast fondet e Huas nuk do të financojnë veprimtari të jashtëligjshme, apo të rifinancojnë hua të tjera. Huamarrësi duhet të nënshkruajë Marrëveshjen e Mirëkuptimit sipas formës dhe përmbajtjes të përcaktuar në Aneksin 1, pjesë përbërëse e kësaj Marrëveshje. Marrëveshja e Mirëkuptimit duhet të jetë gjithashtu pjesë e Kontratës së Kredisë si Aneks i saj, në momentin e nënshkrimit të Kontratës.
Huamarrësi duhet të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit që do t’i vendoset në dispozicion nga Huadhënësit, nëpërmjet të cilit deklaron se Fondet e Huasë do të përdoren vetëm për qëllimet e përcaktuara në Pikën 1 dhe Pikën 4 të këtij Neni. Gjithashtu, në formularin e vetëdeklarimit, Huamarrësi duhet të deklarojë kreditë e aprovuara dhe ato në proces aplikimi/aprovimi në emër të Huamarrësit, të aprovuara apo në proces aprovimi brenda kësaj skeme garancie nga institucionet e tjera huadhënëse.
Afati i aplikimit pranë Huadhënësve përfundon më 20.11.2025. Kreditë duhet të disbursohen jo më vonë se 20.12.2025.
Huamarrësi duhet të përmbushë kriteret financiare dhe ligjore të përcaktuara në aktet rregullative të bankës përkatëse në të cilën aplikohet për kredi.
MF gëzon të drejtën që në çdo moment të rishikojë, shtojë ose heqë çdonjërin prej kritereve të cituara në Pikat e mësipërme të këtij Neni, në dakordësi me Huadhënësit, ku ndryshimi do të bëhet efektiv pas nënshkrimit të dokumentit ndryshues ndërmjet MF dhe Huadhënësve. MF gëzon të drejtën që në çdo moment të zgjatë afatin e parashikuar në pikën 7 të këtij neni, duke vendosur në dijeni paraprakisht Huadhënësit. Ky ndryshim do të bëhet efektiv 10 ditë pune pas marrjes së njoftimit me shkrim të MF-së nga Huadhënësit. Asnjë ndryshim i bërë në përputhje me këtë pikë nuk do të ndikojë mbi Huamarrësit, Huaja e të cilëve është aprovuar përpara datës së bërjes efektive të këtij ndryshimi.
Me përjashtim të rasteve siç përcaktohet në Pikën 9 të këtij Neni, Huadhënësit në asnjë rast nuk do të aprovojnë kërkesat për Hua të Huamarrësve, të cilët nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara në Pikat 1-7 të këtij Neni.
Neni 5 (Termat dhe kushtet e Huasë)
Vlera e Huas e vendosur në dispozicion nga Huadhënësit për Huamarrësin mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Huamarrësi, por në asnjë rast totali i kredive të dhëna për huamarrësin nga bankat, sipas kësaj Marrëveshje Garancie, nuk do të jetë më i lartë se 25,000,000 (njëzetë e pesë milionë) lekë.
Afati i Huas duhet të jetë në diskrecion të Huamarrësit, por ky afat nuk mund të jetë më i shkurtër se 3 vjet dhe duke mos tejkaluar në asnjë rast afatin prej 5 (pesë) vitesh.
Huaja të jetë në formën e një produkti të kredisë bankare që të përmbajë një skedul të qartë të shlyerjes së huasë, pra kreditë nuk mund të kenë formën e linjave të kredisë.
Huadhënësit, bazuar në vlerësimet e riskut të kreditit për secilin Huamarrës gëzojnë të drejtën që të kërkojnë ose jo kolateral shtesë nga Huamarrësi, por në asnjë rast masa e kërkuar e kolateralit duke përfshirë edhe Vlerën e Garantuar të Huasë sipas kësaj Marrëveshje nuk duhet të tejkalojë mbulimin e përllogaritur sipas legjislacionit dhe rregullave të brendshme të Huadhënësit.
Në rastet e parapagimit të Huas, Huadhënësit nuk duhet të aplikojnë komision, penalitet apo çfarëdo lloj mase tjetër që lidhet me parapagimin e Huas.
Monedha e Huas është monedha kombëtare lek.
Norma e interesit të kredive të kontraktuara dhe disbursuara do të jetë jo më e lartë se 2%. Tarifat e aplikueshme kundrejt huamarrësve për dhënien e kredisë nuk duhet të jenë në total më të larta se niveli maksimal prej 0.5%.
Huadhënësit do ta ofrojnë kredinë me një periudhë pa pagesë principali (grace) prej jo më pak se 12 muaj.
Huadhënësit do ta ofrojnë kredinë duke aplikuar penalitete për pagesat e vonuara jo më të larta se penalitetet e përcaktuara në kushtet standarte përkatëse. Huadhënësit nuk do të aplikojnë penalitete për shlyerje të parakohshme të kredisë.
Termat dhe kushtet e Huasë do të përcaktohen në Marrëveshjen e Huasë, e cila do të nënshkruhet ndërmjet Huadhënësve dhe Huamarrësve, në përputhje me përmbajtjen e kësaj Marrëveshje. Termat dhe kushtet e percaktuara në Marrëveshjen e Huasë të cilat bien në kundërshtim me këtë Marrëveshje do të konsiderohen të pavlefshme për të përfituar nga Garancia Shtetërore dhe nuk do të prodhojnë asnjë efekt kundrejt MF.
Asnjë transferim i të drejtave apo detyrimeve të Huadhënësve që burojnë nga kjo Marrëveshje ose nga Marrëveshja e Huasë nuk mund t’i transferohet palëve të treta pa marrë paraprakisht aprovimin me shkrim të MF.
Për çdo ndryshim, rinovim apo ristrukturim të Marrëveshjes së Huasë, që mund të bëhet në marrëveshjen ndërmjet Huadhënësve dhe Huamarrësve brenda afatit të përcaktuar në Pikën 2 të këtij Neni, nuk është i nevojshëm miratimi i MF, me kusht që këto ndryshime nuk do të kenë asnjë efekt në të drejtat e Huadhënësve kundrej MF, sipas kushteve të përcaktuara në këtë Marrëveshje. Huadhënësit do të njoftojnë me shkrim AMGKP për çdo ndryshim, rinovim apo ristrukturim të Marrëveshjes së Huasë brenda një afati prej 10 ditë pune nga nënshkrimi i dokumentit ndryshues.
Huadhënësit janë përgjegjës që totali i shumës së Vlerës së Garantuar të Huave, të mos tejkalojë Vlerën e Garancisë të lëshuar nga MF në favor të bankave sipas Nenit 2 të kësaj Marrëveshje. Në asnjë rast, tejkalimi i Vlerës së Garancisë nuk do të përbëjë detyrim për MF.
Huaja do të quhet e përfunduar dhe nuk do të jetë më objekt i kësaj Marrëveshje vetëm pasi të jetë paguar plotësisht nga Huamarrësi në përputhje me termat dhe kushtet e Marrëveshjes së Huas. Huadhënësit duhet të njoftojnë me shkrim AMGKP për të gjitha Huat e përfunduara brenda një afati prej 10 (dhjetë) ditësh kalendarike nga data e përfundimit të tyre.
Huadhënësit duhet të njoftojnë me shkrim AMGKP-në për ndryshimin e administratorit të huamarrësit, në rastet e shitjes, dhurimit, transferimit të kuotave të shoqërisë, brenda një afati prej 10 ditë pune nga marrja e njoftimit nga Huamarrësi. Huadhënësit mundësojnë përfshirjen në kontratën e kredisë të detyrimit të huamarrësit për dërgimin e këtij njoftimi.
Sektorët që do të kreditohen
1.Fondi përdoret në sektorin e diversifikimit të fermës dhe agropërpunimit nëpërmjet:
-ndërtim dhe/ose rindërtim, zgjerim dhe modernizim të ndërtesave bujqësore/blegtorale, duke përfshirë pajisjet;
-ndërtim dhe/ose rindërtim i serrave duke përfshirë edhe instalimet/teknologjitë; ndërtim dhe/ose rindërtim, zgjerimi dhe modernizimi i objekteve që kontribuojnë në objektivat mjedisorë dhe ekonominë qarkulluese; makineri/mekanikë dhe pajisje bujqësore/blegtorale; makineri dhe pajisje për prodhimin e energjisë së rinovueshme në fermë;
-ndërtim dhe/ose rindërtim, zgjerim dhe modernizim për përpunim dhe tregtim të produkteve bujqësore, agro-ushqimore dhe të peshkimit;
-investime në turizëm rural dhe atë të natyrës; investime në krijimin dhe zgjerimin e fermave të akukulturës duke përfshirë pajisjet; investime në sistemet e menaxhimit të mbetjeve në sektorin e diversifikimit të fermës dhe agropërpunimit;
-investime në ndërtim/rindërtim i objekteve dhe ambienteve për popullsinë dhe bizneset rurale, artizanati dhe manifaktura.
Infrastrukturë prodhimi, duke synuar shtimin e sipërfaqeve të fermës në prodhimin dhe përpunimin e fruta-perimeve, vreshtave etj. (bujqësia), si edhe fermave në sektorin e qumështit dhe mishit (blegtoria).
Agropërpunimi në sektorë të ndryshëm, duke nisur nga nxitja e rritjes së prodhimit të ullirit dhe përpunimit të tij; produktet në sektorin e bimëve medicinale dhe aromatike; produktet e tjera ushqimore që nxisin lidhjen në zinxhir të fermerëve dhe sektorit të turizmit në promovimin e prodhimeve shqiptare etj.
- Mbështetje për sektorin e peshkimit dhe akuakulturës
- Investime në agroturizëm dhe turizëm rural.
- Inovacion dhe nxitje të mekanikës bujqësore për automatizimin e mëtejshëm të proceseve të prodhimit.
/Monitor (https://monitor.al/aplikimet-per-kredi-me-garancine-sovrane-te-bujqesise-deri-me-11-nentor-dokumentet-e-kerkuara/)
Më të lexuarat








