Secondary Adv

Nga 1 shtatori hapen aplikimet në Policinë e Shtetit, ja kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

Policia e Shtetit ka njoftuar sot se nga 1 shtatori do të hapen aplikimet për 402 funksione për Patrullë të Përgjithshme.

Me qëllim rifreskimin e strukturave të Policisë në bazë dhe për plotësimin e nevojave të përvitshme për punonjës të rinj policie, Policia e Shtetit, hap aplikimet për pranim në Policinë e Shtetit, për 402 funksione të rolit bazë, për ata shtetas që kanë përfunduar arsimin e mesëm.

 

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm janë miratuar 402 kuota të lira, nga këto 52 i takojnë konkurrentëve që janë shpallur fitues nga aplikimi i fundit dhe ishin në listë pritjeje, ndërsa 350 kuota i takojnë konkurrentëve të kësaj faze.              

 

Aplikimet janë të hapura nga data 01.09.2025 deri më datë 21.09.2025. 

 

KRITERET PËR APLIKIM

 

Çdo shtetas që plotëson kriteret e mëposhtme, ka të drejtë të aplikojë pranë drejtorive vendore të Policisë ku ai ka vendbanimin e përhershëm:

 

- të jetë shtetas shqiptar;

- të jetë jo më shumë se 30 vjeç;

- të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;

- të ketë përfunduar arsimin e mesëm (nuk përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e  lartë);  

- të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;

- të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

- të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;

- të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

- të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;

- të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe të integritetit.

 

DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM

 

Shtetasit që shprehin dëshirën për t’u pranuar në Policinë e Shtetit, duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në drejtoritë vendore të Policisë, jo më vonë se data 21.09.2025, formularin e aplikimit të plotësuar, së bashku me dokumentacionin e mëposhtëm:

 

- formularin e vetëdeklarimit për punësim në strukturat e Policisë;

- formularin e dekriminalizimit;

- fotokopje të kartës së identitetit;

- diplomë të shoqëruar me listë notash, që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm (të noterizuara);

- fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

- certifikatë të gjendjes gjyqësore;

- certifikatë familjare;

- skedën mjekësore (formular tip);

- vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;

- vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;

- vërtetim nga SPAK, që nuk është objekt hetimi;

- mandat pagesën e tarifës së aplikimit, i cili merret në drejtorinë vendore të Policisë.

 

FAZAT QE KALOJNË APLIKANTËT PËR PRANIM

 

Për pranimin në polici, aplikantët duhet të kalojnë me sukses sipas rendit zbritës fazat e mëposhtme:

 

a)aplikimi;

b)verifikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit;

c)kontrolli shëndetësor;

d)testimi me shkrim;

e)testimi fizik,

f)intervista me gojë;

g)verifikimi i besueshmërisë dhe i integritetit, dhe marrja e gjurmëve të gishtave.

 

Aplikanti skualifikohet dhe ndërpret procesin e konkurrimit në çdo faze të tij nëse:

 

a)nuk aplikon brenda afatit të përcaktuar;

b)nuk dorëzon në kohën e aplikimit dokumentacionin e kërkuar;

c)nuk plotëson kriteret e përcaktuara për t’u pranuar si aplikant;

d)ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara;

e)rezulton përdorues droge;

f)rezulton të ketë varësi nga alkooli;

g)nuk kalon kontrollin shëndetësor;

h)nuk paraqitet në kohën e caktuar në njërën nga fazat e konkurrimit;

i)nuk vlerësohet me të paktën 50% të pikëve në secilën prej fazave të konkurrimit.

 

ANKIMIMI

 

Çdo aplikant ka të drejtën e ankimit për çdo fazë të procesit. Ankimimi behet nëpërmjet e-mailit, në adresën burimet.njerezore@asp.gov.al, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit për secilën faze të procesit. Komisioni i Ankimimit njofton aplikantin brenda 5 ditësh punë, në lidhje me vendimin e marrë.

 

KU MUND TË GJENDEN FORMULARËT PËR APLIKIM?

 

Formulari i aplikimit, formulari i vetëdeklarimit, formulari i dekriminalizimit dhe skeda mjekësore shkarkohen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit ose merren fizikisht pranë drejtorive vendore të Policisë. Dokumentacioni i plotësuar dorëzohet pranë drejtorive vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm, brenda datës 21.09.2025.

 

SA ZGJAT TRAJNIMI?

 

Aplikantët të cilët kalojnë me sukses të gjitha proceset e pranimit, shpallen fitues nëse janë të renditur brenda kuotave të shpallura për konkurrim.

 

Aplikantët fitues i nënshtrohen trajnimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë për një periudhe 9-mujore (6 muaj trajnim teorik dhe 3 muaj praktikë pranë strukturave policore).

 

A ËSHTË I GARANTUAR PUNËSIMI?

 

Çdo aplikant i cili përfundon trajnimin pranë Kolegjit Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, emërohet menjëherë pranë strukturave policore ku ka kryer aplikimin.

 

Policia e Shtetit fton të rinjtë dhe të rejat që të aplikojnë, duke iu garantuar një proces konkurrimi transparent dhe të paanshëm, sipas parimeve të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritokracisë. /Shqiptarja


Më të lexuarat