Ndërtimet pa leje, shtrëngohen masat: Nga gjobat, tek dënimi penal dhe konfiskimi i pronave
Kodi i Ri Penal parashikon ashpërsim të masave sa i takon shpërdorimit të tokës dhe ndërtimeve të paligjshme.
Konkretisht, në nenin 585 thuhet se “Pushtimi i tokës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet. Po kjo vepër, e kryer në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, zonat e mbrojtura ose zonat e rëndësisë kombëtare të trashëgimisë kulturore, dënohet me gjobë ose me burgim nga dy deri në 4 vjet”.
Ndërsa neni 587 sanksionon masat për ndërtimet e pa ligjshme edhe ne rastin kur janë në tokën që është në pronësi të individit.
Sipas këtij neni “Ndërtimi i kryer pa leje ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Nëse kjo vepër, kryhet për plotësimin e nevojave për strehim, dënohet me gjobë.
Po ashtu, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim deri në 3 vjet.
Ndërsa, nëse kryhet në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, zonat e mbrojtura ose zonat e rëndësisë kombëtare të trashëgimisë kulturore, dënohet me gjobë ose me burgim nga 2- 5 vjet.
Sipas këtij neni, edhe ndërtimi shtesë përmbi lejen e dhënë nga organi kompetent apo, ndërtimi pa leje që ngrihet përmbi struktura mbi tokë, vlerësohet si ndërtim i paligjshëm.
Ndërtimet pa të cilat janë kryer në tokë publike apo në zona më përparësi zhvillimi turizmit, i nënshtrohen konfiskimit.
Ndërkaq në draft kodin e ri penal është vepra penale “Favorizimi i ndërtimeve pa leje” ka kriminalizuar kryerjen e veprimeve për të favorizuar instrumentet e planifikimit, projektet e urbanizimit, ndarjen në parcela, rindarjen në parcela, ndërtimin ose kryerjen e punimeve ose dhënien e licencave në kundërshtim me legjislacionin në fushën e rregullimit të territorit, ose fshehjen e shkeljeve të këtij legjislacioni gjatë kryerjes së inspektimeve ose moskryerjen e inspektimeve të detyrueshme, nga personi që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik. Vepër e cila dënohet nga 6 muaj deri në 3 vite burg.
Sipas nenit 589 penalizohet gjithashtu edhe dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm. Konkretisht, cilido që ofron dhe kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrjeje, zbatim punimesh në një ndërtim që dihet se është i paligjshëm, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Po ashtu, referuar draftit, projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i punimeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin, dokumentet e planifikimit, standardet profesionale në fuqi ose në kundërshtim me lejen e zhvillimit ose të ndërtimit dënohet me burgim nga 2 ne 5 vjet. /Scan