
Normat e interesit të kredisë konsumatore pësuan sërish rënie në gjysmën e parë të vitit
Normat mesatare të interesit për kreditë konsumatore në tregun financiar pësuan rënie të mëtejshme në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë zbriti në 62.2%, nga 70.91% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm dhe 71.39%, që kishte qenë për gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Për paradhëniet bankare (overdraftet) deri në 200 mijë lekë, norma efektive mesatare e interesit ra në 13.72%, nga 13.9% që ishte në gjashtëmujorin e dytë 2024 dhe 14.04% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Për kartat e kreditit me limit deri në 200 mijë lekë, interesi mesatar ra në 20.29%, nga 20.47% që ishte në gjashtëmujorin e dytë 2024, por ndërkohë ngeli më i lartë krahasuar me nivelin prej 19.7% të gjashtëmujorit të parë 2024.
Edhe për kreditë me këste me vlerë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, norma mesatare efektive e interesit ra në 26.41%, nga 27.42% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2024 dhe 28.07% që kishte qenë për gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Për kreditë me shumë nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë norma mesatare e interesit u rrit në 11.2%, nga 11% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm, por duke qëndruar në nivele ndjeshëm më të ulëta se norma prej 12.15% e një viti më parë.
Normat e mësipërme të interesit janë llogaritur mbi të gjitha kreditë konsumatore të dhëna nga bankat dhe institucionet financiare jo-banka, bazuara në të dhënat faktike që pasqyrohen në Regjistrin e Kredive, që administrohet nga banka qendrore. Norma mesatare efektive e interesit përfshin normën nominale të interesit të kredisë, por edhe të gjitha kostot e tjera që i ngarkohen klientit, duke përfshirë edhe komisionet apo tarifat e tjera.
Rënia e normës efektive mesatare të interesit përputhet në përgjithësi me një tendencë në rënie të interesave në tregun financiar. Kjo ecuri është përcaktuar nga uljet e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, nga gjendja e mirë e likuiditetit në treg, por edhe nga një konkurrencë të lartë në tregun e kredisë konsumatore.
Aplikimi i një norme maksimale efektive të interesit nga Banka e Shqipërisë duket se ka shërbyer gjithashtu si faktor që i ka zhvendosur në ulje interesat mesatare të kredive në vitet e fundit. Që prej fillimit të vitit 2022, kur nisi aplikimi i normës tavan të interesit, ky tregues ka lëvizur vazhdimisht në rënie.
Ndërkohë, duke filluar nga viti 2025, formula e llogaritjes së NEI-t maksimal ka ndryshuar dhe për kreditë deri në shumën 200 mijë lekë llogaritet si mesatare e thjeshtë e kredive të dhëna, pa rritje me një të tretën, siç ndodh me kreditë mbi 200 mijë lekë.
Normat e ulëta të interesit po mbështesin një rritje me ritme shumë të shpejta të kredisë konsumatorë. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë konsumatore (duke përfshirë overdraftet) në mesin e këtij vitit arriti në 98.4 miliardë lekë, në rritje me pothuajse 20% krahasuar me një vit më parë.
/Monitor (https://monitor.al/normat-e-interesit-te-kredise-konsumatore-pesuan-perseri-renie-ne-gjysmen-e-pare-te-vitit-2/)
Më të lexuarat








