Qeveria e Kosovës rriti shpenzimet, në tremujorin e dytë shifrat arrijnë në 784 mln euro
Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës në tremujorin e dytë ë vitit 2025 arritën në 784.9 milionë euro, duke u rritur me 105.8 milionë krahasuar me një vit më parë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Llogaritjet Qeveritare” për tremujorin e dytë të vitit 2025, ku theksohet se shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme kanë arritur në 784.9 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 105.8 milionë eurosh krahasuar me TM2 të vitit 2024, kur ato ishin 679.1 milionë euro.
Sipas ASK-së, struktura e shpenzimeve tregon qartë prioritetet e buxhetit qeveritar. Pjesën më të madhe të tyre e përbëjnë kompensimi i punëtorëve.
“Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM2 2025 ishin 784.9 milionë euro, ndërsa shpenzimet në TM2 2024 ishin 679.1 milionë euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve (28%); kontributet sociale dhe përfitimet (26%); formimi i kapitalit bruto (15%); dhe konsumi i ndërmjetëm (14%). Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve:
-kompensimi i punëtorëve me 28%,
-kontributet sociale dhe përfitimet me 26%,
-formimi i kapitalit bruto (investimet) me 15%,
-konsumi i ndërmjetëm me 14%.
Shpenzimet tjera janë shpërndarë në kategori si subvencione, transferta për institucione të tjera dhe pagesa të ndryshme që lidhen me funksionimin e administratës publike.
Në anën tjetër, të ardhurat e Qeverisë së Përgjithshme për të njëjtën periudhë u rritën dukshëm, duke arritur në 972.6 milionë euro, nga 782.6 milionë euro në TM2 të vitit 2024. Kjo paraqet një rritje prej pothuajse 190 milionë eurosh.
ASK bën të ditur se pjesën më të madhe të të ardhurave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat zënë 64% të totalit.
“Pjesën më të madhe të të ardhurave e përbëjnë: tatimet në produkte që paraqesin 64%; tatimet rrjedhëse në të ardhura (16%); aktivet dhe detyrimet financiare (10%). Ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të ardhurave”.
Publikimi i ASK-së për Llogaritjet Qeveritare për TM2 2025 është pjesë e serisë së rregullt të raporteve statistikore, që synojnë të ofrojnë pasqyrë të qartë mbi menaxhimin e financave publike në vend. /Monitor(https://monitor.al/qeveria-e-kosoves-rriti-shpenzimet-ne-tremujorin-e-dyte-shifrat-arrijne-ne-784-milione-euro/)