Çmimet e importeve me ulje për të tretin vit radhazi, rënie vjetore 0.7 për qind në prill-qershor
Indeksi i Çmimeve të importit, në tremujorin e dytë të vitit 2025, shënoi një ulje me 0,7%, një vit më parë ky ndryshim ishte -1,0%.
Çmimet e mallrave të importit janë ulur në mënyrë të vazhdueshme që nga tremujori i fundit i vitit 2023 deri në tremujorin e dytë të 2025, por nga ana tjetër ato nuk po reflektohen në tregjet e pakicës pasi matjet për inflacionin tregon ë rritje të çmimeve për shumicën grup-mallrave të importit.
Ndryshimi tremujor i indeksit të çmimeve të importit në tremujorin e dytë 2025, krahasuar me tremujorin e parë 2025 ka një ulje prej 0,1%.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2024, çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” shënuan ulje me 5,3%, pasuar nga seksionet “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 2,2%, “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 94,0%, me 0,4 %.
Brenda seksionit “Industria përpunuese” ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktiviteteve “Prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri dhe dushku, përveç mobilieve; prodhimin e artikujve prej kashte dhe xunkthi” me 1,2 %, pasuar nga “Përpunimi i produkteve ushqimore” dhe “Prodhimi i letrës dhe produkteve prej letre” me 0,9% secili, etj.
Nga ana tjetër, seksioni “Industri nxjerrëse” shënoi një rritje me 0,1%.
Krahasuar me tremujorin e parë 2025, çmimet në seksionin “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” shënuan ulje me 0,6%, pasuar nga seksionet “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 0,5%, “Industria përpunuese” me 0,04%.
Brenda seksionit “Industria përpunuese”, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Prodhimi i letrës dhe produkteve prej letre” me 0,5%, pasuar nga “Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutikë”, etj.
Nga ana tjetër, seksioni “Industri nxjerrëse” shënoi një rritje me 0,1%.