
Kosova shpenzon 6 herë më shumë për importe, se sa fiton nga eksportet
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka publikuar statistikat e Bilancit të Pagesave.
Këto të dhëna tregojnë se vendi vazhdon të ketë dallim të madh mes asaj që blen nga jashtë dhe asaj që shet.
Kosova po përballet me një kombinim të dyfishtë ekonomik: rritje të çmimeve dhe varësi të theksuar nga importet.
Të dhënat e publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës tregojnë se vendi po shpenzon shumë më tepër jashtë se sa po arrin të fitojë nga eksportet, ndërkohë që inflacioni vijon të rritet më shpejt se në Bashkimin Evropian.
Deri në qershor 2025, deficiti i llogarisë rrjedhëse arriti në 803 milionë euro, një rritje prej 18.7% krahasuar me vitin e kaluar.
Vetëm në tregtinë e mallrave, hendeku mes asaj që Kosova importon dhe asaj që eksporton shkoi në 2.67 miliardë euro, apo 19.5% më shumë se në vitin paraprak.
“Deri në fund të muajit qershor 2025, llogaria rrjedhëse shënoi deficit prej 803.01 milionë euro, duke regjistruar një rritje prej 18.78% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje lidhet kryesisht me zgjerimin e deficitit në bilancin tregtar. Në mallra, deficiti tregtar deri në qershor 2025 arriti 2.67 miliardë euro, ose 19.57% më i lartë krahasuar me vitin paraprak”.
Eksportet: 442.65 milionë euro (rënie me 1.29%).
Importet: rritje me 16.08%, duke arritur vlerën 3.11 miliardë euro.
Kjo do të thotë se për çdo 1 euro që Kosova fiton nga eksporti, shpenzon mbi 6 euro për import – një pasqyrë e varësisë së thellë nga produktet e huaja.
Në të njëjtën kohë, çmimet për konsumatorët po rriten me ritëm më të shpejtë se mesatarja e BE-së.
Në korrik 2025, inflacioni arriti 4.3%, shumë mbi mesataren e BE-së (2.4%) dhe të eurozonës (2.0%).
Kryesisht, shtrenjtimet lidhen me ushqimet e importuara dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Në korrik 2025, inflacioni vjetor në Kosovë, i matur përmes Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, ishte 4.3 për qind. Kjo përbën një ritëm dukshëm më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila shënoi 2.4 për qind, një hendek prej 1.9 pikë përqindjeje”.
Çmimet që rëndojnë më shumë xhepin e qytetarëve, sipas ASK-së, kategoritë që kanë parë rritjet më të larta janë:
Pushime të organizuara: +20.9%
Kafe, çaj dhe kakao: +16.9%
Energjia elektrike: +16.6%
Mish: +12.7%
Pemë: +12.3%
Perime: +10.7%.
Ndërsa në Kosovë çmimet e ushqimeve dhe rrymës po e shtyjnë inflacionin përpara, në Bashkimin Evropian energjia ka ndikuar në drejtim të kundërt, duke e zbutur presionin mbi konsumatorët.
Sipas Eurostat, inflacioni në BE qëndroi në 2.4% gjatë korrikut, ndërsa një vit më parë ishte 2.8%.
“Norma vjetore e inflacionit në zonën e euros ishte 2.0% në korrik 2025, e qëndrueshme krahasuar me qershorin. Një vit më parë, norma ishte 2.6%. Inflacioni vjetor në Bashkimin Evropian ishte 2.4% në korrik 2025, nga 2.3% në qershor. Një vit më parë, norma ishte 2.8%. Këto të dhëna publikohen nga Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Evropian”.
Kosova nuk është e panjohur me fenomenin e inflacionit të lartë viteve të fundit. Në vitin 2022, vendi u përball me një valë të paprecedentë, ku mesatarja vjetore arriti 11.6 për qind, ndërsa vetëm në korrik norma u ngjit në 16 për qind.
/Monitor (https://monitor.al/kosova-me-inflacion-4-3-shpenzon-6-here-me-shume-per-importe-se-sa-fiton-nga-eksportet/)
Më të lexuarat








