Secondary Adv

Cilësia e ajrit në disa qytete shqiptare mbi normat mesatare të BE

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka publikuar raportin e saj të fundit mbi cilësinë e ajrit për periudhën janar–maj 2024, duke nxjerrë në pah shqetësime serioze mbi nivelin e ndotjes në disa qytete të vendit.

Sipas raportit, grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5, përbëjnë ndotësit kryesorë të ajrit urban dhe konsiderohen rrezik i drejtpërdrejtë për shëndetin publik.

 

Çfarë janë grimcat PM10 dhe PM2.5?

 

Sipas AKM-së, PM10 janë grimca me diametër më të vogël se 10 mikron, ndërsa PM2.5 janë grimca ultra të imëta, më të vogla se 2.5 mikron, që depërtojnë thellë në mushkëri dhe mund të kalojnë në gjak. Ato çlirohen kryesisht nga djegia e lëndëve të ngurta për ngrohjen e shtëpive, trafiku rrugor, ndërtimet dhe proceset industriale.

 

Grimcat dytësore formohen nga reaksionet kimike të gazrave si SO2, NOx dhe NH3, duke kontribuar në acidifikimin dhe eutrofikimin e tokës dhe ujërave, me pasoja për ekosistemet dhe biodiversitetin.

 

Sipas raportit, rezultatet e monitorimit treguan tejkalime shqetësuse në disa qytete përfshirë Korçën, ku stacioni i monitorimit regjistroi 23 ditë tejkalim të normës ditore të PM10 (50 μg/m³), nga 35 ditë që është limiti vjetor i lejuar.

 

Ndërkohë në Elbasan për herë të parë është monitoruar PM2.5 dhe rezultatet tregojnë një mesatare vjetore prej 30.15 μg/m³, përballë normës së BE-së prej 25 μg/m³, duke shënuar 20% tejkalim. Shkaku kryesor është prodhimi i mineraleve jometalike, që zë 80% të ndotjes sipas inventarit të vitit 2022.

 

Ndërsa në Tiranë (Stacioni Mobile), në janar 2024 u regjistruan nivele shumë të larta të SO2, me 203.69 μg/m³ më 25 janar dhe 170.8 μg/m³ më 26 janar, tejkalime të konsiderueshme mbi kufirin 125 μg/m³, ndërkohë që sipas normës lejohen vetëm 3 ditë/vit me tejkalim.

 

Pasoja në shëndet

 

Ekspozimi afatshkurtër dhe afatgjatë ndaj grimcave PM lidhet me rritjen e rasteve të sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare, si dhe me rritjen e nivelit të vdekshmërisë. PM2.5 është veçanërisht problematik, pasi depërton në alveola dhe qarkullim të gjakut, duke shkaktuar dëme serioze në organizëm.

 

Rekomandimet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit

 

Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pas vlerësimit të të dhënave mbi cilësinë e ajrit për periudhën janar–maj 2024, thekson se situata në disa qytete të vendit mbetet shqetësuese dhe kërkon masa urgjente. Raporti nënvizon se ndotësit kryesorë janë grimcat PM10 dhe PM2.5, të cilat burojnë kryesisht nga trafiku, ndërtimet dhe ngrohja me lëndë djegëse tradicionale. Për këtë arsye, AKM sugjeron një qasje gjithëpërfshirëse për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

 

Në fushën e transportit, rekomandohet kufizimi i përdorimit të automjeteve private, kalimi drejt transportit publik dhe nxitja e biçikletave dhe ecjes, shoqëruar me kontroll më të rreptë të emetimeve dhe ndalimin e qarkullimit të mjeteve që nuk përmbushin standardet. Një rëndësi e veçantë i jepet promovimit të automjeteve elektrike dhe zgjerimit të rrjetit të karikimit në të gjithë vendin, jo vetëm në Tiranë.

 

Për energjinë dhe ngrohjen, sugjerohet braktisja graduale e lëndëve djegëse që prodhojnë tym dhe kalimi drejt burimeve të pastra, si panelet diellore, pompat termike dhe energjitë e rinovueshme. Në industri dhe ndërtim, raporti këmbëngul për kontroll më rigoroz të pluhurit dhe emetimeve, për larjen e mjeteve të rënda dhe për ndalimin e djegieve të mbetjeve në natyrë.

 

Edhe bujqësia kërkon ndërhyrje: ndalimin e djegies së kashtës dhe përdorimin e teknologjive për prodhimin e biogazit nga bagëtitë. Paralelisht, duhet të rriten hapësirat e gjelbra dhe gjelbërimi përgjatë akseve kryesore, të forcohet planifikimi urban dhe të kufizohet parkimi në zonat qendrore për të ulur volumin e trafikut.

 

Në përfundim, raporti apelon për një kombinim të masave afatshkurtra dhe afatgjata që synojnë reduktimin e burimeve të ndotjes, nxitjen e transportit të pastër dhe përdorimin e energjive të rinovueshme. Vetëm kështu mund të arrihet përmirësimi i dukshëm i cilësisë së ajrit dhe mbrojtja e shëndetit publik. /ekofin.al


Më të lexuarat