
10 tenderat më të mëdhenj deri në gusht tejkaluan vlerën 18 mld lekë të fondit limit
Nga janari deri në gusht 2025, dhjetë tenderat më të mëdhenj në procedurat e prokurimit publik arritën vlerën me fond limit 18.1 miliardë Lekë.
Sipas të dhënave nga Open Procurement Albania, këtu nuk është përllogaritur vlera e koncesionit për projektimin, ndërtimin, financimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot – Balldre, vlera e të cilit është parashikuar 364 732 924 EUR pa tatimin mbi vlerën e shtuar.
Sipas llojit të procedurës këto Big tendera janë 7 procedura të hapura mbi kufirin e lartë monetar (tender ndërkombëtar); 2 procedura të kufizuara por mbi kufirin e lartë monetar (po ndërkombëtar) dhe një procedurë me negocim. Dy nga dhjetë procedurat me vlera më të larta janë anuluar tashmë duke shënuar një rast mosrealizimi të procedurës.
Sipas institucioneve, Autoriteti Rrugor Shqiptar (4 procedura), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli i Lartë Gjyqësor; Operatori i Blerjeve të Përqendruara dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit janë institucionet që kanë prokuruar tenderat me vlera më të larta.
Tenderi me vlerë më të lartë për vitin 2025 është procedura e hapur për dhënien me koncesion të segmentit për projektimin, ndërtimin, financimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot-Balldre vlera e të cilit është parashikuar 364 732 924 Euro pa TVSH. Prokurimi ishte publikuar fillimisht në dhjetor të vitit 2024 duke u anuluar me arsyetimin se, asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushin kërkesat e ftesës për procedurën konkurruese, pra nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme.
Supertenderat e Autoritetit Rrugor Shqiptar
Sipas të dhënave, ARRSH është institucioni i cili ka tenderuar katër tenderat më të mëdhenj për këtë vit;
Ndërtimi i rrugës Kashar – Nyja Vaqarr Faza e Parë, me fond limit 3.33 miliardë lekë pa TVSH. Procedura e hapur mbi kufirin e lartë monetare është publikuar në qershor 2025 dhe në muajin Gusht është bërë njoftimi i fituesit përfundimtar. Në procedurë kanë garuar 10 ofertues, 4 prej tyre janë skualifikuar. Operatori ekonomik fitues është shpallur “4 A-M” sh.p.k me subjekt mbështetës “GECO 2003” dhe ofertë ekonomike 2.63 miliardë lekë pa TVSH. Open Procurement Albania ka vlerësuar me Redflag këtë procedurë prokurimi pasi është skualifikuar oferta me vlerë më të ulët.
Gjithashtu, Ndërtim rruga Kashar – Nyja Vaqarr Faza II me vlerë fondi limit 2.75 miliardë lekë pa TVSH. Në procedurë kanë marrë pjesë 13 ofertues, janë skualifikuar nga gara 5 oferta ekonomike. Fitues përfundimtar është shpallur Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “ELMAZAJ KONSTRUKSION & INC S.P.A.” Po ashtu dhe tenderi i dytë më i madh është shënuar me flamur të kuq (Redflag) nga Open Procurement Albania pasi janë skualifikuar dy oferta me vlerë më të ulët.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar tenderin Zgjerim i superstradës Tiranë – Durrës Faza III me fond limit 2.5 miliard lekë pa TVSH. Procedura është shpallur në korrik dhe janë dorëzuar 6 oferta pranë Autoritetit Kontraktor akoma nuk është bërë njoftimi i fituesit.
Ndërtim Bypass Sarandë, Faza I, procedurë e hapur, mbi kufirin e lartë monetar me fond limit 2 miliardë lekë. Procedura është shpallur në korrik dhe numri i ofertave të dorëzuara është dy.
Tenderat e tjerë dhe vlerësimi me flamur të kuq (redflag)
Operatori i Blerjeve të Përqendruara, ka njoftuar Procedurën e kufizuar mbi kufirin e larte monetar me titull Loti I, Blerje dhe Shpërndarje Uniforma, Grada, Stema dhe Shenja për Policinë e Shtetit me fond limit 2 miliard lekë pa TVSH. Tenderi për Drejtorin e Pergjithshme të Policise se Shtetit, i cili është shpallur në muajin prill është anuluar në qershor me arsyetimin se “nevojat ose aftësia paguese e autoritetit ose entit kontraktor kanë ndryshuar”.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë se Informacionit ka publikuar procedurën e hapur mbi kufirin e larte monetar për pajisje të teknologjisë së informacionit dhe Komunikimit për përdorim zyre, Loti 6 – kompjutera me fond limit 1.35 miliard lekë. Tenderi është shpallur në qershor, janë dorëzuar 8 oferta ekonomike pranë Autoritetit Kontraktor.
Operatori i Blerjeve të Përqëndruara, ka njoftuar një tjetër procedurë të kufizuar mbi kufirin e larte monetar për Blerje uniforma dhe grada për Policinë e Burgjeve Loti 1, me fond limit 1.2 miliard lekë. Tenderi është publikuar në muajin prill dhe në qershor është njoftuar anulimi i procedurës me argumentin e “rrethanave të paparashikueshme dhe objektive, nevojat ose aftësia paguese e autoritetit ose entit kontraktor kanë ndryshuar”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka njoftuar një procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS) me vlerë fondi limit 1.03 miliard lekë. Tenderi është fituar nga kompania “KREATX” me ofertë 924 milionë lekë.
Brenda renditjes prej 10 tenderave më të mëdhenj (Big Tender) është përsëri një procedurë e njoftuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, procedurë e kufizuar mbi kufirin e lartë monetar konkretisht Loti 1-Furnizim me lëndë djegëse diesel (Gazoil 10 ppm) për 14 Ente kontraktorë me fond limit 1 miliard lekë.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar procedurë me negocim, pa njoftim, shërbimi postar për zgjedhësit nga jashtë vendit, me fond limit 1 miliard lekë. Tenderi është fituar nga kompania “DHL INTERNATIONAL (Albania)” me vlerë ofertë 912 milionë lekë./ekofin.al
Më të lexuarat








