Secondary Adv

Bashkite, 10 miliarde leke borxh paleve te treta

Detyrimet e njësive të qeverisjes ven dore janë krijuar si rrjedhojë e keqmenaxhimit të financave publike në nivel vendor dhe arrijnë në 10 miliardë lekë. Në vitin 2016 janë evidentuar detyrimet e prapambetura të akumuluara nga çdo bashki deri më 31 dhjetor 2015, të cilat në total kishin vlerën rreth 12.2 miliardë lekë.

 

Njësitë e vetëqeverisjes vendore gjatë vitit 2016, kanë shlyer rreth 2.7 miliardë lekë detyrime. Shifrat janë bërë të ditura në relacionin e projektbuxhetit për vitin 2017, ku është parashikuar edhe strategjia për shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve. Ligji i ri për financat vendore do të forcojë disiplinën financiare për të parandaluar akumulimin e detyrimeve të prapambetura në të ardhmen, që mund të kthehen në një risk serioz potencial për këto njësi, me impakt negativ edhe në ekonominë e vendit në tërësi. Në këtë kuadër, qeveria po i kushton një fokus të posaçëm shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të njësive vendore.


Strategjia
Ministria e Financave, në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka hartuar një plan veprimi për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, i cili duhet zbatuar nga ana e njësive të qeverisjes vendore, duke filluar nga viti 2016. Plani i veprimit për shlyerjen e këtyre detyrimeve synon të mbledhë një informacion për historikun e detyrimeve të prapambetura, shkaqet dhe arsyet e pamundësisë për të shlyer këto detyrime, masat konkrete të marra deri tani nga ana e njësive të qeverisjes vendore dhe situata aktuale. Plani i shly-erjes së detyrimeve të prapambetura për vitet 2016- 2017 dhe për një periudhë afatmesme dhe masat që do të merren në të ardhmen për parandalimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura.


Buxheti për vendorët
Buxheti vendor i vitit 2017, së bashku me të gjithë komponentët e tij (transferta e pakushtëzuar, transfertat specifike, Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, Renta minerare dhe të ardhurat e veta), është rreth 4 për qind më i lartë se në vitin 2016. Gjithashtu, ky buxhet për vitin 2017 do të jetë 3.1 për qind e PBB-së dhe, krahasuar me vitin 2013, është 1 për qind e PBB-së më i lartë, ndërkohë që deri në vitin 2013 është rritur me 0.4 për qind të PBB-së. Duke krahasuar buxhetin vendor të vitit 2017 me buxhetin vendor të vitit 2013, vihet re një rritje e ndjeshme e tij me rreth 68 për qind. Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2017, janë parashikuar në masën 50,7 miliardë lekë ose 3.1 për qind e PBB-së. Në këtë zë është përllogaritur rritja e transfertës së pakushtëzuar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, së bashku me Fondin e Zhvillimit të Rajoneve dhe financimi i funksioneve të reja, të cilat janë transferuar në nivel vendor.


Të ardhurat
Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore për vitin 2017, parashikohen të jenë rreth 6.2 për qind më të larta se ato të vitit 2016 ose 900 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Kjo rritje e të ardhurave do të vazhdojë si rrjedhojë e reformimit të tarifave të shërbimeve publike, ndarjes më të drejtë dhe transparente të financave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmirësimit të vazhdueshëm të skemës së financimit të funksioneve të veta, si dhe krijimit të kadastrës fiskale. Me buxhetin e vitit 2017, do të financohen funksionet e transferuara në 61 bashkitë, në vlerën 7 miliardë lekë, ndërsa transferta specifike do të shërbejë vetëm për financimin e funksioneve të reja të transferuara te njësitë e vetëqeverisjes vendore.


Më të lexuarat