Rusia shkeli hapësirën ajrore të NATO, Polonia: Kërcënim real dhe akt agresioni
Tension i lartë përgjatë kufirit lindor të NATO-s. Ushtria polake tha se një avion rus shkeli për pak kohë hapësirën e saj ajrore.
Polonia ka qenë në gatishmëri të lartë për çdo objekt që hyn në hapësirën e saj ajrore që kur një raketë ukrainase goditi një fshat në jug të vendit në vitin 2022, duke vrarë dy persona, vetëm disa muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Mbi 10 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi në Ukrainën Perëndimore. Polonia e quajti si një akt agresioni dhe në përgjigje, avionët polakë luftarakë u ngritën në ajër duke rrëzuar disa prej tyre.
Ministria e Mbrojtjes raportoi se dronët hynë në hapësirën ajrore gjatë natës, duke kërcënuar qytetin Zamosc dhe provincat e Mazovisë, Podlaskie dhe Lublinit, dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në banesa.
"Pas sulmit të sotëm nga Federata Ruse në territorin ukrainas, ndodhi një shkelje e paprecedentë e hapësirës ajrore polake nga objekte të tipit dronë. Ky është një akt agresioni që ka paraqitur një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë", theksoi Komanda Operacionale e Ushtrisë Polake në X.
Kryeministri Donald Tusk ndoqi personalisht operacionin, ndërsa njoftoi se është në kontakt me NATO-n.
"Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me komandën e NATO-s", tha ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, i cili i bëri thirrje popullsisë të "qëndrojë e qetë dhe të ndjekë njoftimet zyrtare nga shërbimet shtetërore dhe ushtarake". Autoritetet polake kanë mbyllur përkohësisht Aeroportin Chopin të Varshavës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka dënuar shkeljen e hapësirës ajrore polake nga dronët rusë.
“Moska gjithmonë i shtyn kufijtë e asaj që është e mundur dhe nëse nuk has në një reagim të fortë, ajo mbetet në nivelin e ri të përshkallëzimit”, u shpreh Zelensky, duke shtuar se bëri një tjetër hap përshkallëzues.
"Sot pati një hap tjetër të përshkallëzimit, dronët ruso-iranianë operuan në hapësirën ajrore të Polonisë, në hapësirën ajrore të NATO-s. Nuk ishte vetëm një që mund të quhej aksident, por të paktën tetë dronë sulmues të drejtuar drejt Polonisë.", shtoi ai.
Kryeministri polak, Donald Tusk e ka cilësuar shkeljen e hapësirës ajrore polake nga dronët rusë si një provokim në shkallë të gjerë.
“Inkursioni i dronëve rusë në hapësirën ajrore polake nuk ishte rastësi”, tha kryeministri polak Donald Tusk, duke shtuar se ishte “një sulm në shkallë të gjerë”. /Shqiptarja