Secondary Adv

Izraeli kaloi vijën e kuqe me sulmin në Katar, rrezikon luftë në gjithë Lindjen e Mesme

Sulmi ndaj udhëheqësve të Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha, tregon se Izraeli do të vazhdojë të përshkallëzojë situatën nëse fuqitë globale nuk e ndalojnë atë.

Izraeli nuk ka tentuar të fshehë autorësinë e sulmit ajror mbi kryeqytetin e Katarit. Vetëm pak minuta pasi shpërthimet u dëgjuan në Doha, zyrtarë izraelitë konfirmuan publikisht ndërhyrjen. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu deklaroi qartë: “Izraeli e nisi, Izraeli e kreu dhe Izraeli merr përgjegjësinë e plotë.”

 

Ky veprim shihet si një përshkallëzim i ri në politikën ushtarake të Tel Avivit. Gjatë dy viteve të fundit, Izraeli ka nisur luftë me Iranin, ka zgjeruar praninë në Siri, ka vrarë drejtuesit e Hezbollahut në Liban dhe ka shkaktuar mbi 64 mijë viktima palestineze në Gaza. Por goditja në Doha shënon një kufi të ri: një sulm të drejtpërdrejtë ndaj një vendi që është aleat i SHBA dhe që strehon bazën më të madhe amerikane në rajon.

 

Një surprizë edhe për Katarin

 

Sipas analistëve, goditja ishte e papritur, pasi nuk u kufizua në praktikat klasike të Mossad-it, si atentate të fshehta apo eliminime të fshehura. “Nuk besoj se katariotët e imagjinuan ndonjëherë që Izraeli do të bombardonte Dohan,” tha analisti i mbrojtjes Hamze Attar.

 

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare Cinzia Bianco shtoi se edhe pse Katar e dinte që nuk ishte “jashtë kufijve” të mundshëm të Izraelit, askush nuk priste një sulm të hapur dhe të pamëshirshëm.

 

Reagimi i SHBA dhe dilema e “dritës jeshile”

 

Shtëpia e Bardhë pranoi se kishte marrë informacion paraprak mbi sulmin, por tha se Izraeli e ndërmori i vetëm dhe se veprimi nuk i shërbente as interesave të SHBA-së dhe as atyre të Izraelit. Megjithatë, nuk pati dënim të qartë.

 

“Është e vështirë të besohet se Izraeli do të ndërmerrte një sulm të tillë pa miratimin amerikan,” tha analisti politik Marëan Bishara. Ai theksoi se nëse SHBA nuk ka dhënë dritë jeshile, atëherë duhet të dëgjohet një dënim i qartë nga administrata Trump, gjë që ende nuk ka ndodhur.

 

Paqja në rrezik

 

Sulmi ndodhi ndërkohë që në Katar po zhvilloheshin negociata për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit. Plani i mbështetur nga SHBA parashikonte lirimin e pjesshëm të pengjeve izraelite dhe një pauzë të përkohshme të luftimeve. Por Tel Avivi e refuzoi marrëveshjen pas mbështetjes fillestare dhe tani kërkon lirimin e të gjithë pengjeve në këmbim të një pushimi të shkurtër.

 

Shumë analistë besojnë se Izraeli nuk ka interes për një armëpushim të vërtetë. Marrëveshjet që duken si përparim, thonë ata, janë vetëm “teatër diplomatik” ndërkohë që lufta në Gaza vazhdon.

 

Katar i tronditur, rajoni i kërcënuar

 

Katar, i cili ka shërbyer si ndërmjetës kyç mes Izraelit, Hamasit dhe SHBA, e cilësoi sulmin një shkelje flagrante të sovranitetit të tij. Sipas analistëve nga Doha, vendi pritet ta çojë çështjen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke kërkuar mobilizim ndërkombëtar kundër politikave izraelite.

 

Sulmi ka hapur gjithashtu një kapitull të ri për marrëdhëniet e sigurisë në Gjirin Persik. Ekspertët paralajmërojnë se garancitë tradicionale të sigurisë amerikane po zbehen. “Askush nuk është më i sigurt. Sot është Katari, nesër mund të jenë Arabia Saudite apo Emiratet,” tha Bianco.

 

Daniel Levy, ish-negociator izraelit, e përmblodhi situatën: “Izraeli ka ngritur në një nivel të ri përbuzjen ndaj negociatave, ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit të shteteve. Është e qartë se nuk ka negociata në mirëbesim.”

 

Një precedent që mund të ndryshojë Lindjen e Mesme

 

Goditja mbi Dohan ka përmbysur kalkulimet diplomatike. Nëse deri dje prania e bazave amerikane shihej si garanci sigurie për vendet e Gjirit, sot perceptimi ka ndryshuar: asnjë shtet nuk është i paprekshëm.

 

Kjo ngjarje pritet të nxisë koordinim më të madh mes vendeve arabe dhe të forcojë kërkesat për një reagim të fortë ndaj Tel Avivit. Në të kundërt, analistët paralajmërojnë se “bombat e forcave ajrore izraelite do të mund të bien nesër në çdo kryeqytet të rajonit”. /Al Jazeera


Më të lexuarat